Vrasja e Arditit, kryetari i PS hiqet nga lista e të kërkuarve

Kryetari i PS të Peqinit, Edurim Teqja, njëkohësisht administratori i kompanisë “3R”, që kryente selektimin e mbetjeve në landifillin e Sharrës, ku mbeti i vrarë minoreni Ardit Gjoklaj, brenda vendgrumbullimit të mbetjeve, hiqet nga lista e të kërkuarve nga policia. ABC News ka mësuar se meqenëse Prokuroria e Tiranës nuk i caktoi masë sigurie në mungesë biznesmenit Edurim Teqja, duke hetuar në gjendje të lirë, Policia e Shtetit e ka hequr nga kërkimi policor. Me heqjen e emrit nga kjo listë, mësohet se Teqja është paraqitur në prokurori i shoqëruar nga avokati mbrojtës për të dhënë shpjegime për kompaninë, marrëveshjen me bashkinë dhe punët që kryente brenda landfillit.
Sipas këtyre burimeve, Teqja ka pretenduar se është i pafajshëm në lidhje me vdekjen e të riut Gjoklaj, duke hequr përgjegjësinë nga vetja për punësimin e tij. Mësohet se para hetuesve, Teqja i ka ngarkuar me përgjegjësi të punësuarit e tij, shtetasin Besnik Braha me detyrën e përgjegjësit të firmës “3R” dhe Dëfrim Hakramën përgjegjësin e turnit. Ai ka thënë se, këta dy persona, merreshin me punësimin, mbarëvajtjen e punës brenda landfilldit dhe kontrollin e punonjësve, me arsyetimin se vetë ai qëndronte në Elbasan. Burimet thonë se, pas më shumë se tri orëve deklarime, i dyshuari Edurim Teqja është lënë i lirë për t’u hetuar pa masë sigurie.
Nga ana tjetër, për këtë ngjarje vazhdojnë të qëndrojnë në qeli përgjegjësi i turnit Dëfrim Hakrama që dyshohet se ka punësuar 17-vjeçarin Ardit Gjoklaj. Si dhe shoferi i ekskavatorit Edmond Kollari, që dyshohet se e ka goditur dhe më pas shkelur trupin e të riut brenda landfillit të Sharrës.
Burimet thonë se, prokuroria për ngjarjen ku mbeti i vrarë dhe gjymtuar trupi i 17-vjeçarit, po heton në gjendje të lirë administratorin e kompanisë “3R” Edurim Teqja, përgjegjësin e firmës Besnik Braha, përgjegjësin e turnit natën kur gjeti vdekjen 17-vjeçari, shtetasin Dëfrim Hakrama dhe shoferin e ekskavatorit Edmond Kollari.
Prokuroria e Tiranës, regjistroi kallëzimin penal të Partisë Demokratike ndaj kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj në lidhje me menaxhimin e landfillit të Sharrës, ku mbeti i vrarë 17-vjeçari Gjoklaj. Sipas burimeve nga organi i akuzës, pas kallëzimit të bërë nga PD, Prokuroria ka regjistruar kallëzimin për akuzën e “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.
Hetimi ndaj Veliajt po kryhej nga kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha. Por ky i fundit është larguar nga kjo detyrë pas skandalit të publikimit të një fotografie ku shfaqej në një restorant të Tiranës, duke drekuar me Erion Veliajn. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, hetimet për marrëveshjen mes Bashkisë dhe kompanisë “3R” po vazhdojnë nga një prokuror tjetër, por ende pa ndonjë vendimmarrje konkrete edhe pse janë sekuestruar të gjithë praktikat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës.
Para disa ditësh, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha u fotografua, duke drekuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Petrit Fusha dhe Veliaj kanë qëndruar për më shumë se 2 orë në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit. Petrit Fusha ka hyrë në ambientet e lokalit dhe është ulur në një nga cepat e tij, ndërsa pas rreth 20 minutash në restorant është shfaqur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj dhe Fusha dukeshin në një bisedë ku kryebashkiaku jepte sqarime dhe urdhëra ndaj kryeprokurorit të kryeqytetit, i cili ka në dorë disa hetime të rëndësishme penale për Veliajn dhe ministrat e qeverisë Rama. Mbi Veliajn janë ngritur disa padi që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ku më e rëndësishmja është ajo e vrasjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Edhe pse kanë kaluar gati 5 muaj nga vrasja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, brenda landfillit të Sharrës, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka një vendimmarrje për përgjegjësit e këtij krimi. Bëhet e ditur se kjo prokurori i ka deleguar shtatë detyra të ndryshme Policisë së Shtetit me qëllim sigurimin e disa provave shtesë, dëshmive dhe veprimeve të tjera hetimore, në dosjen e çështjes për zbardhjen e vrasjes dhe gjymtimit të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Artikulli paraprakNjë “rënie gjeopolitike” më 2017?
Artikulli tjetër50 ambasadorët e Obamës që ikin para inaugurimit