Vrasësit e tregtarit në Kamëz shfaqin pendesë në Gjykatë, braktisen nga familjarët

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e arrestit me burg për dy të rinjtë e arrestuar në Kamëz,
Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hoda kanë dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa mësohet se ata e kanë pranuar krimin dhe kanë shfaqur pendesë.
Avokati i tyre u shpreh jashtë seancës se ngjarja që të rinjtë kanë kryer është mjaft e rëndë, dhe se ai nuk mund të jepte asnjë detaj.
Kurti në tentativë grabitje vrau pronarin e lokalit Agim Buci, ndërsa gruaja mbeti e plagosur. Ruzhdi Hoda është bashkëpunëtor në krim.
Ata kanë pasur dhe precedentë të mëparshëm penalë, të dyshuar për disa vjedhje në zonë, ndërsa familja e tij e kishte denoncuar Vladimir Kurtin 5 herë në polici për dhunë në familje.
Babai i Vladimir Kurtit u shpreh pas ngjarjes se e ka mohuar të birin, ndërsa kërkoi që të varet për krimin që ka bërë. Ai ka shkuar më tej duke e quajtur të birin një monstër. Asnjë nga familjarët e tyre nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit.
Babai i tij e konsideroi “ish-djali” dhe “monstër”, Vladimirin në një intervistë në media e madje arriti deri atje sa të kërkonte edhe dënimin me vdekje për të birin. Familja e Vladimir Kurtit, personit që kreu vrasjen ndër dy të arrestuarit është e frikësuar nga hasmëria.

Në kërkim arma e hedhur në lumë
Prova kryesore e akuzës deri tani, është dëshmia e shtetasit Ruzhdi Hode i cili ka pranuar krimin duke shpjeguar se pas vrasjes së tregtarit nga Vladimir Kurti, pistoleta e mbështjellë me një rrobe është hedhur poshtë urës së Zgafnorit në lumin e Tërkuzit në përiferi të Tiranës.
Pikërisht për shkak të kësaj dëshmie, por edhe rëndësisë që ka arma e krimit në cilësinë e provës materiale, për tri ditë me radhë policia ka vazhduar kërkimet në lumë deri pranë Zall-Herrit.
Megjithë kërkimet e deritanishme të polumbarëve, arma tip TT e përdorur në vrasjen e 52-vjeçarit dhe plagosjen e bashkëshortes së tij 44 vjeçe, Merita Buci, ende nuk është gjetur.
Nga ana tjetër, Vlamidir Kurti, nuk ka dhënë detaje për krimin por ka shprehur pendesë për vrasjen e Agim Bucit dhe plagosjen e të shoqes brenda marketit.
Një tjetër provë e prokurorisë janë edhe pamjet filmike të kamerave, ku dy grabitësit që hynë në dyqan kanë ngjashmëri fizike me dy të arrestuarit Vladimir Kurti, i cili mendohet se ka qëlluar viktimën dhe bashkëpunëtori i tij Ruzhdi Hodo.
Policia ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë që mendohet se kanë qenë në dijeni të planit kriminal.
Deri tani këta shtetas akuzohen vetëm për moskallëzim krimi por hetuesit thonë se pozita e tyre mund të rëndohet në rast se rezultojnë të implikuar në gjetjen e armës apo sigurimin e automjetit që autorët përdorën për tu larguar nga vendi i krimit.

Artikulli paraprakProtesta në Berat: “Më mirë të vdesim këtu se të ngelemi pa punë”!
Artikulli tjetërDrita e telefonit mund t’ju shkaktojë kancer