Votime për Rektorët dhe Dekanët në pikun e pandemisë! Studentët thirrje Presidentit: Mos i dekreto!

Në kulmin e kurbës së COVID-19, ditën e sotme mbahen zgjedhjet për Rektorët dhe Dekanët e Universiteteve shtetërore.

Në Tiranë për Rektorin e ri janë në garë kandidatët Artan Hoxha nga Fakulteti Juridik, Kozeta Sevrani nga Fakultetit Ekonomik dhe Mimoza Hafizi nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Paralelisht në të gjitha fakultetet e univerisitetit, po zhvillohen dhe garat për dekanë.

Zgjedhjet e 30 korrikut janë kundërshtuar nga shumë grupime studentësh dhe pedagogësh të cilat i konsiderojnë ato të paligjshme pasi po zhvillohen në kohën e pandeminë dhe pjesa më e madhe e studentëve që duhet të votojnë, janë nëpër rrethe për shkak të mbylljes së shkollës.

Së fundmi grupimi Qendresa Qytetare, i themeluar nga një grup studentësh, i ka kërkuar Presidentit Meta që të mos dekretojë fituesit që dalin nga kjo garë e paligjshme.

Sipas tyre, caktimi i datës së zgjedhjeve nga Ministrja e Arsimit Shahini është bërë në mungesë të konsultimit me Konferencën e Rektorëve.

Gjithashtu ata argumentojnë se fillimi i procesit zgjedhor në datë 30 Qershor dhe përfundimi i tij më 30 Korrik krijon një situatë të rëndë paligjshmërie në universitetet publike, pasi çdo universitet publik e ka të pamundur që të mbyllë procesin zgjedhor brenda afatit një mujor, pa shkelur rregulloren e zgjedhjeve.

Por më kryesorja sipas tyre, zhvillimi i zgjedhjeve më 30 Korrik përjashton tre të pestat e studentëve nga e drejta ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet drejtuese të universiteteve publike.

Artikulli paraprakVaksina anti-Covid në janar do jetë në farmaci, ja sa do të kushtojë…
Artikulli tjetërSkandal në Parlament! Rama kërkon ndryshime kushtetuese me firma deputetësh të falsifikuara