Vota e lirë për Republikën e re- një mision historik

Myqerem TAFAJ

18 shkurti 2017 po hyn si një datë historike në historinë postkomuniste të Shqipërisë.
18 shkurti nuk është vetëm dita e fillimit të lëvizjes kombëtare për votën e lirë, por edhe dita kur zoti Basha shpalli një mision të ri historik që merr përsipër PD në aleancë me forcat e vërteta opozitare dhe me qytetarët e vendit, misionin e VOTËS SË LIRË për Republikën e re!
Ky është një mision i ri historik për zotin Basha dhe PD, demokratët dhe gjithë qytetarët, të cilët jo vetëm janë të bindur se kjo qeveri ka shkatërruar votën e lirë dhe duhet të largohet një orë e më parë, por edhe që vetëm vota e lirë është themeli për Republikën e re, Republikën që e bën Shqipërinë një vend modern dhe garanton integrimin e vendit në BE.
Demokratët e kanë pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm Republikën e re, që në ditën e parë që e artikuloi zoti Basha në mes të qytetarëve, në çadrën e lirisë -Parlamentin e vërtetë të shqiptarëve.
Vota e lirë për Republikën e re është mision i ri historik, të cilin i takon ta udhëheqë Basha dhe PD. Pse them se është mision i ri? Sepse Lëvizja e Dhjetorit 1990 dhe PD e lindur prej saj, realizuan misionin e parë historik, përmbysën diktaturën më të egër komuniste të kontinentit dhe sollën lirinë dhe demokracinë, në themel të së cilës qëndron vota e lirë! Por, qeveria dhe mazhoranca e sotme kërkojnë të asgjësojnë pikërisht votën e lirë.
Shkatërrimi i votës së lirë përbën edhe faktorin kryesor që ka degraduar Republikën e tanishme, duke mos harruar edhe kriminalizimin e politikës dhe administratës nga kjo mazhorancë, sundimin e korrupsionit dhe oligarkisë në çdo sektor të jetës, instalimin e shtetit policor, terrorizimin e qytetarëve, presionin politik mbi të punësuarit në gjithë sektorin publik, varfërimin e shpejtë të qytetarëve dhe rritjen e papunësisë që kanë shkaktuar çrregullimin e thellë të raporteve sociale në vend, rikthimin e largimit masiv të qytetarëve nga vendi, i cili po merr formën e zbrazjes së vendit, çka do të ketë ndikim afatgjatë negativ në zhvillimin e gjithanshëm të vendit, për shkak të varfërimit të vendit edhe në burime njerëzore.
Misioni i ri i Bashës dhe PD për votën e lirë për Republikën e re, paralajmëron se Basha si Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, do t’u shpalosë shqiptarëve një program elektoral dhe qeverisës të PD, i cili do të jetë fillimi i Republikës së re, në të gjithë fushat dhe sektorët. Ky program do të jetë vetëm fillimi i një programi apo axhende më afatgjatë për Republikën e re. Dhe ky është një zhvillim i ri për Shqipërinë. Duhet të fillojmë me programe, axhenda dhe strategji më afatgjata zhvillimi, ashtu siç ndodh në vende të qytetëruara, të zhvilluara. Për shembull, axhenda Shqipëria 2030!
Çdo ditë, Basha në fakt po shpalos para shqiptarëve teza të këtij programi, teza të fillimit të Republikës së re. Deri tani qytetarët kanë dëgjuar vetëm disa nga këto teza. Në ditët që vijnë Basha do të shpalosë tezat e tjera të programit.
Axhenda e Republikës së re është një axhendë shumëplanëshe e zhvillimit afatgjatë të Shqipërisë moderne, Shqipërisë europiane. Ajo përfshin të gjithë sektorët dhe sistemet e shtetit dhe shoqërisë.
Por, tani, qytetarët janë ngritur në këmbë dhe kërkojnë të drejtën më themelore: votën e lirë. Qeveria teknike është kushti i parë për votën e lirë.
Kjo kauzë po përqafohet, çdo ditë e më shumë, nga më shumë qytetarë pa parti, nga grupe dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë. Çdo ditë, në çadrën e lirisë, po flasin përfaqësues të shtresave dhe grupeve të shoqërisë: intelektualët, artistët, publicistët, të rinjtë, studentët, sipërmarrësit, fermerët, etj. Të gjithë kërkojnë rikthimin e së drejtës themelore: Të drejtën e votës së lirë. Të gjithë janë thellësisht të bindur se me këtë qeveri dhe mazhorancë nuk ka votë të lirë dhe prandaj kërkojnë krijimin sa më parë të qeverisë teknike, që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Artikulli paraprakÇadra protestë si një agorë e demokracisë
Artikulli tjetërPse i bëhet thirrje Metës për të “rrëzuar veten”?