VOA: Sipas CNN, Biden kalon në sondazhe Trumpin, reagon Presidenti: Më keq se me Hillarin

Sondazhet politike në Sh.B.A-së po tregojnë gjithnjë e më shumë se amerikanët nuk e miratojnë punën e Presidentit Donald Trump dhe se mbështetja për ofertën e tij për një mandat tjetër katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë po bie kundrejt ish-nënpresidentit Joe Biden.

Në sondazhin më të fundit të hënën, CNN tha se votuesit që u anketuan javën e kaluar nuk e miratojnë punën e presidentit Trump me një diferencë prej 57% -38%, dhe besojnë se ai do të humbasë ndaj Bidenit (55% -41%) pesë muaj përpara ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor.

Trump e hodhi poshtë sondazhin e CNN-it në një postim në Twitter, duke pretenduar se sondazhi ishte “aq i rremë sa edhe raportimi i tyre”. Trump tha se ai kishte “të njëjtat shifra, apo edhe më keq, kundër Crooket Hillary”, nofka e tij tallëse për Hillary Clinton, ish Sekretarja amerikane e Shtetit që ai mposhti në zgjedhjet për presidencën në vitin 2016.

Trump shpesh përpiqet të trumpetojë pozitën e tij të lartë në mesin e votuesve republikanë, por sipas sontazhit demokratët janë në mënyrë të barabartë kundër presidencës së tij. Ndërkohë, sondazhi i CNN tregoi se 52% e votuesve të pavarur thonë se favorizojnë Biden-in për presidencën kundrejt 41% që mbështesin Trump-in.

Vlerësimi i ulët i miratimit për punën e preisidentit Trump vjen ndërsa votuesit peshojnë trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit gjatë tre muajve të fundit dhe më pranë, protestat mbarëkombëtare në dy javët e kaluara kundër vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, të mbajtur në arrest policie në Mineapolis të Minesotës .

CNN tha se vlerësimi për miratimin e punës së presidentit Trump kishte rënë shtatë pikë gjatë muajit të kaluar dhe tani ishte më i keqi që është regjistruar që nga janari 2019. Rrjeti i lajmeve tha se vlerësimi i miratimit prej 38% për Trump ishte i ngjashëm me atë të dy ish presidentëve – Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H.W. Bush në 1992 – kur të dy humbën në zgjedhejt për mandatet e dyta.

Sondazhi i CNN-it thotë se efekti i protestave kundër vdekjes së Floydit tek elektorati amerikan është i rëndësishëm, me votuesit që thonë se marrëdhëniet racore në Sh.B.A janë tani aq të rëndësishme sa ekonomia dhe kujdesi shëndetësor si çështje të fushatës.

Të anketuarit thanë se mendojnë se zoti Biden do të trajtojë marrëdhëniet racore në Sh.B.A më mirë sesa presidenti Trump me një diferencë 63% -31%. Votuesit me ngjyrë favorizuan trajtimin e marrëdhënieve racore nga zoti Biden me një avantazh të jashtëzakonshëm 91% -4%.

Biden gjithashtu kryesoi sondazhin për çështjen e trajtimit të pandemisë së koronavirusit, 55% me 41%, ndërsa votuesit e favorizuan presidentin Trump në mbarëvajtjen e ekonomisë 51% me 46%.

Sondazhet kombëtare në Sh.B.A kanë treguar vazhdimisht zotin Biden përpara zotit Trump – 40 të kryera në maj dhe nëntë të tjera deri tani në qershor.

Faqja elektronike e organizatës Real Clear Politics e vendos Biden përpara Trumpit 49.9% në 42.1%. Mesatarja e sondazheve të fundit tregon se votuesit nuk miratojnë presidencën e Trumpit 54.2% me 42.8%.

Artikulli paraprakTjetër skandal/ Rama ligj që dyfishon taksat për biznesin e vogël, Meta nuk e dekreton
Artikulli tjetërPse policët në SHBA nuk dënohen për shkelje ligji nga viti 1993