Vjen data e zgjedhjeve, por nuk ka reformë zgjedhore

Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot (5 dhjetor) datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017. Sipas dekretit, shqiptarët do të zgjedhin për përbërjen partiake të Kuvendit të ardhshëm në datën 18 qershor, e diela e parafundit e qershorit.
Sipas nenit 9 të Kodit Zgjedhor, Presidenti Nishani mund të zgjidhte mes “një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar” dhe zgjodhi të dielën e parafundit.
Zgjedhjet e vitit 2017 do të jenë rasti i nëntë i zgjedhjeve pluraliste që nga viti 1991. Shqipëria ka votuar në fund të qershorit për zgjedhjet parlamentare që nga viti 1997, ndërsa data e zgjedhjeve zakonisht ka qenë e debatuar për shkak se partitë e djathta zakonisht besojnë se një pjesë e votuesve të tyre zgjedhin një ditë në plazh në vend të një dite në votim.
Që nga viti 1997, zgjedhjet parlamentare janë zhvilluar mes 23 qershorit dhe 3 korrikut, ndërsa hapësira që iu la presidentit për të përcaktuar datën e zgjedhjeve u ngushtua në “një nga dy të dielat e fundit”  në ndryshimet e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor që u kryen në vitin 2008 në bashkëpunim mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Në zgjedhjet e 18 qershorit, shqiptarët do të mund të votojnë një nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje në një nga 12 qarqet ku banojnë. Listat e kandidatëve fitues caktohen nga partia politike përkatëse dhe numri i deputetëve fitues nga lista e partisë përkatëse varet nga numri i votave që partia ka marrë në zgjedhje.
Sistemi aktual i njohur si “proporcional rajonal” është në fuqi që nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe ka fuqizuar rolin e partive politike dhe kryetarëve, duke dëmtuar aftësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Artikulli paraprakÇeno: Këshilltarët e fushatës së Trump në Tiranë për ndryshimin
Artikulli tjetërTmerr në Vlorë! Përdhunohen 2 fëmijë në oborrin e shkollës