Braçe-Kokoneshi shpallën fituese kompaninë me ofertën 1 milion USD më të lartë

Në datën 15 dhjetor të vitit të kaluar, Bashkia e Divjakës zhvilloi një tender me objekt: “Sistemim dhe asfaltim i rrugës “Mertish-3 Urat”. Fondi limit i tenderit ishte 337. 4 milionë lekë pa TVSH dhe burimi i financimit ishte qeveria shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Sipas dokumenteve të disponuara nga SYRI.net në tender kanë paraqitur ofertat 5 kompani të ndryshme. Oferta e parë ishte e kompanisë “Alba Konstruksion sh.p.k”, e cila ka ofruar çmimin 212 milionë e 197 mijë lekë. Në vendin e dytë është renditur oferta e kompanisë A.N.K shpk me 279.7 milionë lekë, ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt janë renditur “Salillari” dhe “G.P.G Company”, të cilat kanë ofruar respektivisht një çmim prej 317 milionë dhe 324.6 milionë.  Në tender është paraqitur edhe një kompani tjetër e quajtur Çaushi, por ajo nuk ka dorëzuar ofertë financiare. Por në mënyrë të çuditshme Bashkia e Divjakës ka skualifikuar dy ofertat e para, atë të “Alba Konstruksion” dhe “A.N.K” dhe ka shpallur fituese në tender kompaninë “Salillari”, e cila kishte një ofertë prej gati 1 milion dollarë më të lartë se sa ajo e dy kompanive të mësipërme. Bashkia e ka justifikuar vendimin me arsyen se oferta e “Alba Konstruksion” ishte anomalisht e ulët, por ky arsyetim ka ngritur dyshime të forta.

Kokoneshi-Braçe

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi njihet si një njeri i bindur i deputetit socialist Erjon Braçe. Nga salla e Parlamentit ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi se për këtë tender është paguar ryshfet dhe paratë janë ndarë mes deputetit Braçe dhe kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Kokoneshi.
“Kokoneshi kryetari i Bashkisë së bashku me deputetin ka ndarë 1 milion dollarë. Ai përjashton kompanitë që japin 220 milionë dhe tenderin e fiton kompania me 317 milionë lekë, 120 milionë lekë më shumë mbasi thuhet se, Kokoneshi bashkë me Kokoneshin tjetër këtu në Parlament ka futur në xhepa 1 milion USD”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha, duke ju referuar deputetit socialist Braçe.

Lum fondesh për Divjakën

Edhe pse është një nga Bashkitë më të vogla në vend, ajo e Divjakës rezulton të jetë një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike nga qeveria qendrore. Vetëm projekti i rrugës “Mertish-3 Urat”, me një fond prej 320 milionë lekësh është sa 3-fishi i fondeve që kanë marrë së bashku, Bashkia e Shkodrës, ajo e Lezhës dhe Bashkia e Kukësit, të cilat janë të fituara nga e djathta.
Por rruga “Mertish-3 Urat” nuk është projekti i vetëm në Bashkinë e Divjakës. Në këtë rreth janë duke u ndërtuar një sërë projektesh të tjera në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, të financuara me paratë e taksapaguesve nga qeveria qendrore.
Ky favorizim i Divjakës në ndarjen e fondeve publike lidhet pikërisht me Erjon Braçen, i cili është deputet i kësaj zone dhe njëkohësisht mban postin e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, një institucion kyç në hartimin e buxhetit të shtetit.
Por së fundmi, shumë nga këto tendera janë përfolur si të dyshimtë.

Denoncimi i Berishës në Parlament

Ish-Kryeministri Berisha akuzoi për një skemë të mirëfilltë korrupsioni dhe ryshfetesh të ndërtuar nga dyshja Kokoneshi-Braçe, e cila kontrakton punë publike kundër ryshfetit. “Po marrim Divjakën, ku qeveris sipas informacioneve të shumta, të paverifikuara natyrisht, një trafikant prostitucioni, njëfarë Fredi Kokoneshi. Zotëri, ligji i dekriminalizimit do të tregojë është apo jo. Po ja çfarë bën Fredi, se si e fut në xhep milionin e dollarëve. Kemi një tender, i cili është tender i hapur për asfaltimin e rrugës Mërtish-Tre Ura, merr pjesë “Alba Construction”, më kanë thënë, por nuk e di sa është e vërtetë është, që është kompani e të vëllait të Bashkisë së Vlorës. Ndoshta nuk është e vërtetë. Dhe kjo “Alba Construction”, që më thonë se është një kompani serioze, ka ofruar për të fituar tenderin 212 milionë lekë. Tenderi i jepet kompanisë tjetër “Salillari”, me 317 milionë lekë, me 1 milion dollarë më shumë. 1 milion, po kjo është “kafe” bëri të ditur Berisha në Parlament.

Artikulli paraprak“Panama Papers” po ndihmojnë kandidaturën e Sanders në SHBA
Artikulli tjetërBerisha: Beteja me kusarët, një betejë për jetë a vdekje