Viti i ri akademik, Fakulteti i Drejtësisë me sistem 5 vjeçar

Nga ky vit akademik për studentët që nisin studimet në Fakultetin e Drejtësisë nuk do të aplikohet më karta e Bolonjës, pasi dekanati ka vendosur të ndryshojë programet e studimit. Dekani i këtij Fakulteti, Artan Hoxha, sqaron se të gjithë studentët që do të regjistrohen do të ndjekin programin pesëvjeçar të Bachelor dhe Master në të njëjtin program studimi.
“Për vitin e ri akademik ne përgatitemi të fillojmë studimet me program të integruar 5-vjeçar, masteri i nivelit të dytë. Është një detyrim që vjen nga ligji drejtpërdrejt. Nuk është vetëm për fakultetin tonë, por është për të gjithë universitetet që ofrojnë arsim juridik, duke u larguar nga programi i mëparshëm. Për shkak se ne kemi një program të vetëm të hyrjeve të reja këtë vit në universitet, kemi llogaritur një numër që ne vlerësojmë se është i pranueshëm për Fakultetin e Drejtësisë. Këtë vit Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë do të ketë vend për 750 studentë që fillojnë vitin e ri me programin e ri të studimeve”, deklaroi Hoxha.
Pavarësisht këtij ndryshimi, ende nuk ka një numër të përcaktuar qartë të kuotave dhe të tarifave për studentët e këtij fakulteti, por në bazë të këtij vendimi të ri pritet të ketë njëhsim të tarifave dhe rritje të numrit të kuotave.

Artikulli paraprakRepublika e re nis marshimin
Artikulli tjetërDy të vdekur në dy aksidente automobilistike