Viktima e Këlcyrës prej një viti i kërkonte ndihmë policisë

Ish-Kryeministria Berisha ka publikuar denoncimin e një qytetari, i cili shprehet se 66-vjeçari që u vra në mënyrë makabre nga një ish-komando, i kishte kërkuar ndihmë policisë prej një viti, por policia nuk mori asnjë masë. “Qytetari dixhital informon: -Viktima që u masakrua shtazërisht sot në Këlcyrë, prej një viti ishte i kërcënuar dhe kërkonte mbrojtjen e policisë nga kasapi që i preu sot kokën. Policia nuk përfillte kërkesën e tij!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje Doktor Berisha. Jam nga Këlcyra. Doja t’iu informoja se personi që u masakrua në Këlcyrë ishte një i afërmi im dhe kishte një vit që kërkonte mbrojtje nga policia, por policia nuk e përfillte fare. Vetëm emrin ka polici, sepse janë kthyer banda grabitësish. Respekte”, shkruan qytetari.
Ndërkohë familjarët e ish-Komandos Alban Voda kanë braktisur shtëpinë nga frika e hakmarrjes. Vëllai i 66-vjeçarit Nesim Hoxha reagon ashpër ndaj familjes së autorit të ngjarjes me të cilën ka edhe lidhje krushqie. “Ta dëgjojë e gjithë bota, unë nuk rroj gjatë sa ta çoj atje ‘sipër’, jo vetëm atë, por të gjithë si familje”, u shpreh Tafil Hoxha, vëllai i viktimës.
Megjithë lidhjen mes dy familjeve, konfliktet nuk kanë munguar asnjëherë. Vëllai i madh i viktimës tregon, se 4 vite më parë të vëllait i kanë djegur rezervat e barit dhe kasollen e bagëtive, duke u shkrumbuar rreth 30 krerë bagëti. Autori nuk u gjet asnjëherë, ndërsa para një viti, Alban Voda e ka goditur me gur në kokë vëllain e tyre, por që familja e tërhoqi denoncimin pas ndërhyrjes së babait të ish-Komandos.
Kanë qenë 4 raste, djegia e mullarit, djegia e kasolles me dhentë, plagosja e tij me gur dhe heqja e kokës. Sepse ne pranuam pajtimin”, u shpreh Shyqyri Hoxha, vëllai i viktimës.
Kryeplaku i fshatit thotë se, Albanin e njeh si njeri pa probleme, por që nuk komunikonte më që pas kthimit nga shërbimi në Afganistan. “Kur donte të fliste, kur nuk donte s’të kthente përgjigje”, shprehet kryeplaku Asllan Sako.
Ish-komando i tregoi policëve se vrasjen e kishte kryer, sepse viktima kishte dashur ta mbyste me një kokërr ulliri, një rrëfim ky që tregon gjendjen e rënduar psikike të tij. E megjithatë problemet mendore, ai nuk kurohej dhe nuk kishte asnjë shënim në kartelën mjekësore.
Personi nuk është paraqitur asnjëherë në qendrën shëndetësore. Nuk ka kryer asnjë vizitë tek mjeku specialist psikiatër ose te konsulta në Vlorë”, thotë mjeku Arjan Xhaferaj. “Ne i trajtojmë sa janë në radhët e FA, ndërsa më pas nuk mundemi, pasi nuk jemi Ministria e Punëve Sociale. Megjithë aplikimin e kritereve të rrepta të pranimit, ngjarje të tilla tregojnë se duhet të bëjmë akoma më shumë në mënyrën e përzgjedhjes.
Dëshmia e dhënë në polici për vrasjen makabre të bashkëfshatarit në një fshat të Këlcyrës, ka treguar qartazi që ish-komandoja ka probleme të rënda psikologjike. 30-vjeçari ka pohuar në polici se e ka vrarë 66-vjeçarin, pasi kishte frikë mos e mbyste me një kokërr ulliri.
Ish-komandoja i Forcave të Armatosura që kishte shërbyer edhe në dy misione në Irak e Afganistan ka dhënë dëshmi jonormale, ndërsa ka thënë se e ka vrarë fqinjin e tij, pasi kishte frikë mos e mbyste me një kokërr ulliri. Dëshmi kjo që ka ngritur pikëpyetje për gjendjen mendore të 30-vjeçarit, Alban Voda, ndaj do t’i nënshtrohet një kontrolli psikiatrik për të përcaktuar shkallën e përgjegjshmërisë.

Artikulli paraprakTjetër sasi droge kalon nga Durrësi dhe kapet në Itali
Artikulli tjetërElvis Rroshi dhe kreu i PS Kavajë grabisin tokat për pallate në Qerret