Tjetër sasi droge kalon nga Durrësi dhe kapet në Itali

Më shumë se 1 kg heroinë e pastër është sekuestruar nga “Guardia di Finanza” e Marcianise-s në Itali që ka arrestuar një shqiptar për trafik ndërkombëtar droge dhe ka denoncuar në gjendje të lirë bashkëpunëtorin e tij italian.
Aksioni u zhvillua pasditen e djeshme, kur një patrullë e “Guardia di Finanza-s” ka ndaluar për një kontroll një makinë, e cila drejtohej nga 40-vjeçari italian, ndërsa 38-vjeçari shqiptar ishte pasagjer (identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur).
Ky i fundit po përpiqej të fshihte një çantë. Të dy kanë thënë se sapo kishin zbarkuar nga Porti i Barit dhe vinin nga Shqipëria. Efektivët, kontrolluan çantën dhe pjesën tjetër të bagazheve. Në total, u gjetën më shumë se 1 kg heroinë. Nëse do të përzihej dhe do të shitej në treg, droga do të sillte dhjetëra mijëra euro, raporton ANSA.
Po ashtu, policia greke ka sekuestruar një sasi të madhe droge në aksin Janinë-Antirio që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Sipas mediave greke, mjeti vinte nga kufiri me Shqipërinë, kur është pikasur nga policia, e cila është vënë në ndjekje të saj dhe më pas është ndaluar në vendin e quajtur “Kompoti”.
Në makinë u gjetën dhe u sekuestruan 106 pako me 126 kg e 690 gram marijuanë dhe 171 gram hashash në formë ‘çokollate’. Policia greke arrestoi shoferin, një 53-vjeçar grek, ndërsa vijon hetimet për zbardhjen e këtij rasti trafiku.

Artikulli paraprakNjë plan për të dalë nga kriza sot dhe kaosi nesër
Artikulli tjetërViktima e Këlcyrës prej një viti i kërkonte ndihmë policisë