Elvis Rroshi dhe kreu i PS Kavajë grabisin tokat për pallate në Qerret

Një tjetër denoncim është publikuar dje nga ish-Kryeministri Sali Berisha, këtë herë për ndërtimet pa leje që po bëhen në fshatin Qerret të Bashkisë së Kavajës. ‘Qytetari dixhital’ i ka dërguar Berishës disa foto nga këto ndërtime, ku thotë se janë ndërtuar nga Elvis Roshi dhe Gentjan Daja, duke u grabitur tokat banorëve të fshatit.
“Elvis, Edvin, Denar Rroshin dhe Gentjan Dajën, kreun e PS-së Kavajë, të cilët me mbështetje të Ramës grabisin toka dhe bëjnë kërdinë në Plazhin e Qerretit”, shkruan Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e plotë.
“Përshëndetje zoti Sali Berisha. Unë jam banor i qytetit të Kavajës dhe desha të denoncoj te ju një vjedhje të banorëve të fshatit Qerret. Elvis Rroshi dhe Gentjan Daja ndërtojnë pallate në plazh të Qerretit, po i vidhen hapësirat. Po ju dërgoj disa pamje që i kam bërë më datë 20 shkurt. Së bashku me qeverinë Rama po rrëmbejnë tokat tona, që sa gjejnë një hapësirë po ngrejnë pallate, duke rrënuar turizmin e Kavajës”, ka shkruar qytetari në adresë të Berishës.
Para tre ditësh, ish-Kryeministri Berisha denoncoi një ndërtim pa leje që po bëhet nga Rama dhe kreu i Bashkisë së Vlorës. Ka qenë një qytetar nga Vlora që i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha për këtë skandal. “Qytetari dixhital denoncon: Ndërtimin pa leje në det mbi një mol të ndërtuar pa leje nga kompani me ortak vëllaçkon e Lelit dhe mbështetjen antiligjore të vetë Ramës. Këtu më poshtë keni mesazhin e qytetarit dixhital dhe fotot e ndërtimit!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor Berisha! Në zonën e Radhimës po bëhet një ndërtim pa leje në një mol të ndërtuar pa leje. Në dijeninë time ndërtuesi është Sherif Durmishi, ortak i të cilit është vëllai i kryetarit të Bashkisë Vlorë, Eduart Leli me mbështetjen direkt të Edi Ramës. Ndërtimi po bëhet mbi molin (i cili dhe ky është pa leje) pa aprovimin e Këshillit Bashkiak pa leje dhe çertifikatë pronësie mbi tokën. Kjo bie në kundërshtim me planin urbanistik të Bashkisë Orikum të miratuar nga qeveria Juaj. Kjo pjesë e ndërtimit cenon dhe një pjesë të tokës time të trashëguar dhe me çertifikatë hipotekore konform ligjeve të shtetit në fuqi”, shkruan qytetari.

Artikulli paraprakViktima e Këlcyrës prej një viti i kërkonte ndihmë policisë
Artikulli tjetërShefi i Guardia di Finanza-Tahirit: Vetëm këtë vit kapëm 20 ton kanabis