Vijojnë flakët e zjarreve në Zogaj dhe në Munellë

Zjarret vazhdojnë të djegin territore dhe sipërfaqe me pyje në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 7 vatra aktive zjarri në qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Dibër. Një vatër zjarri është shënuar mbrëmjen e së mërkurës në Malin e Taraboshit në Shkodër. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe po punohet për mbajtjen nën kontroll të flakëve. Për shkak të erës zjarri po përhapet me shpejtësi. Nga zjarri rrezikohen disa banesa në fshatin Zogaj.

Digjen pyjet e Lajthizës dhe fshatit Malecaj

Një zjarr i madh ka përfshirë pyjet e fshatit Lajthizë të Mirditës. Flakët po përparojnë me shpejtësi drejt zonës së banuar. Një banor i zonës është shprehur për mediat se, zjarri po u afrohet banesave duke vënë në rrezik pasurinë dhe jetën e banorëve.
Zjarri i cili ka nisur që prej ditës së djeshme në malin e Rrexit në Lezhë i është afruar fshatit Malecaj. Flakët kanë përfshirë një zonë në një terren të thyer malor, që favorizohet edhe nga era e fortë. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikës, ushtria dhe banorë të zonës. Ndërkohë banorët e zonës po ndihmojnë zjarrfikëset për të mos lejuar përhapjen e flakëve.

Zjarri në masivin pyjor të Munellës rrezikon rrëqebulli i Ballkanit

Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë alarmin Berisha për zjarrin e madh që ka rënë në Pukë dhe që po rrezikon rrëqebullin e Ballkanit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha shprehet se zjarri ka rënë në masivin pyjor të Munellës dhe po përhapet me shpejtësi, i ndihmuar nga era.
Ish-kryeministri shkruan se Mali i Munellës njihet si streha e rrëqebullit të Ballkanit. Berisha njoftoi se kreu i Bashkisë ka kërkuar ndërhyrjen me helikopterë.
“Pukë, zjarr i madh në masivin pyjor të Munellës, rrezikohet rrëqebulli i Ballkanit! Një zjarr i madh që ka rënë në masivin pyjor të Munellës po përhapet me shpejtësi i ndihmuar nga era. Kryetari i bashkisë ka bërë thirrje për të futur në veprim, helikopterët. Mali i Munellës njihet si streha e rrëqebullit të Ballkanit”, shkruan Berisha.

Shkrumbohen të dyja anët e Drinos në Gjirokastër

Në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, zjarret maive kanë djeguar të dyja anët e luginës, duke shkatërruar gjithë habitatin natyror aty. Specialistët thonë se, rekuperimi i dëmit kërkon dekada, ndërsa zjarrfikësit flasin për mundësinë e zgjatjes së situatës së jashtëzakonshme nëse nuk do të nisin reshjet.
Një pjesë e zjarrvënësve, të gjithë barinj, po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa ende nuk ka të ndëshkuar. Kjo është situata më e pazakontë që mbahet mend ndonjëherë në këtë rajon, ku dëmet është vështirë të llogariten në vlerë ekonomike.
“Është shkrumbuar thuajse gjithë pjesa e Malit të Gjerë nga të dy krahët. Bashkë me florën digjet edhe fauna, lepuri, dhia e egër, dhelpra e ariu, që nuk i largohen dot zjarrit. Zjarret shkaktojnë katastrofa që për t’u rekuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me ta dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”, shprehet Kleanthi Mandi, ekspert biolog.
Në më shumë se 120 ndërhyrje vetëm brenda muajit gusht, shpesh herë zjarrfikësve u është dashur të menaxhojnë rreth 4 apo 5 zjarre të qëllimshme brenda ditës.
Në disa raste është kërkuar edhe ndihma e efektivëve nga Greqia. Disa reparte të Janinës morën pjesë në shuarjen e të paktën 7 zjarreve dhe në një rast zjarrfikësit shqiptarë parandaluan një zjarr që po avanconte në territorin grek.

QARKU SHKODËR
Në kodrat e fshatit Zogaj, Shkodër ka rënë zjarr në pyllin me dushk dhe pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 3 automjete zjarrfikëse dhe 40 forca nga efektivët e Forcave të Armatosura. Puna për izolimin dhe fikjen e plotë të vatrave të zjarrit po vijon.
Zjarri i rënë disa ditë më parë në fshatin Munellë, Pukë ka vazhduar të jetë aktiv. Shërbimi zjarrfikës i Pukës, punonjës të Zonave të Mbrojtura dhe banorë kanë punuar për shuarjen e zjarrit deri në orët e vona të mbrëmjes. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vijon edhe ditën e sotme, pasi zjarri në disa zona ka rënë në terren shumë të vështirë dhe është e pamundur për të ndërhyrë me forca dhe mjete.
QARKU LEZHË
Disa vatra të vogla zjarri në fshatin Skuraj Kurbin vijojnë të jenë ende aktive. Shërbimi zjarrfikës së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit malor.
QARKU ELBASAN
Zjarri i rënë disa ditë më parë në pyllin me pisha në fshatin Poroçan, Gramsh vijon të jetë aktiv. Zjarrfikëset, forcat e Bashkisë dhe ato të Pyjores kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por pa mundur të shuajnë flakët për shkak të terrenit malor. Puna për shuarjen e vatrave të zjarrit po vijon ende.
QARKU DIBËR
Në fshatin Martanesh Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset kanë punuar, por nuk kanë mundur ta shuajnë plotësisht. Operacioni për fikjen e zjarrit vijon.

Artikulli paraprakFarsa e turpshme e operacionit me gjoja 1000 policë kundër trafiqeve
Artikulli tjetërRama la drogën apo Tahirin?