Rama la drogën apo Tahirin?

Fatmir GUDA

Sajmir Tahiri i ka lënë shëndenë karrierës ministrore. Të paktën kështu duket të jetë për momentin, pas prezantimit që kryeministri u bëri emrave të kabinetit Rama 2.
Ish-ministri i brendshëm, aq shumë u përfshi direkt në kultivimin e kanabis sativas në gjithë territorin e vëndit, saqë u evidentua personazhi kyç i raporteve të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese. Por megjithëse si i tillë, “forca ndëshkuese” e shefit të vet vetëm sa e konvertoi nga ligjzbatues në ligjvënës.
E gjitha kjo lëvizje jo dhe aq e papritur nuk mund të marrë shpegim tjetër, përveçse me atë të manovrimit tipik nga Edi Rama për t’u shfaqur me nota autokritike, se tani e tutje AI do të heqë dorë nga fenomeni drogë duke besuar se kështu do të shpëtojë lëkurën e vet nga shigjetimet e institucioneve partnere ndërkombëtare. Madje ka arritur deri aty sa luftën kundër lëndëve narkotike ai e ka bërë deklaratë të ditës, pasi e ka marrë zakon ta premtojë me zë dhe figurë në çdo rast dhe tryezë mediatike.
Një lojë e vështirë për t’ju besuar kjo, njeriut që jo vetëm prej opozitës e mbarë opinionit publik, por edhe prej ish-bashkpuntorëve më të afët dhe policive të vendeve fqinje, anëtare të BE është etiketuar si bossi, që qëndron në krye të prodhimit dhe trafikimit të drogës. Të gjendur në këtë situatë, për ata që ende mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë, nëse kryeministri seriozisht e ka inatin me drogën apo me Tahirin, sigurisht që e vërteta i çon tek fakti se AI s’ka pse t’i jetë “mërzitur” asnjërit prej tyre. Sepse dihet, që ai është aq i varur prej të dyve, saqë pa ta s’bën dot. Por hë për hë nuk i ka ngelur veçse të sillet “poshtërsisht” edhe ndaj drogës edhe ndaj ish-ministrit të brëndshëm, i detyruar të bëjë sikur është distancuar prej të dyve, ndërsa s’ka denjuar as ta pranojë ekzistencën e fenomenit të kanabizimit të vendit, as të nxjerrë gjysëm akuze ndaj Saimir Tahirit, të cilin përgjatë gjithë mandatit të parë nuk do linte rast pa e mbajtur në gojë, si ministrin e tij më të suksesshëm. Dmth, si fillim me mos përfshirjen në qeveri të ish-ministrit të brëndshëm, shefi i “rilindjes” ka dashur të fillojë hedhjen e një hapi drejt besueshmërisë para publikut brënda dhe jashtë Shqipërisë, përkundrejt atij opinioni “katran” që rëndon ndaj tij, sa i përket përmasave me të cilat u përhap ky fenomen në 4 vitet e para të qeverisjes.
Ndonëse, paragjykimi ndaj tij do të vijojë, pasi Sajmir Tahirin vetëm sa e ka spostuar nga ekzekutivi, duke e mbajtur në jetën politike të parlamentit, ku do t’i jepet mundësia të jetë aktiv, tashmë jo si drejtues, por si krye-kontrrollues i veprimtarisë së forcave të policisë dhe sigurisë kombëtare. Ndërkohë që edhe në vëndin e tij u vendos gjithashtu një emër si Fatmir Xhafaj, pjestarë të afërt të familjes së të cilit kanë qënë të përfshirë në aktivitet kriminal, sikundër vëllai i tij Agron Xhafaj, drejtpërdrejt ka qënë akuzuar si drejtues rrjetesh trafiku ndërkombëtar dhe shpërndarës lëndësh narkotike.
Në krye të betejës anti-kanabis, ku kryeministri Rama shfaqet sa i pabesueshëm, aq dhe qesharak, sigurisht që ka akoma për të shitur nga gjithë ajo ndërmarrje kriminale, peshq të vegjël dhe të mëdhenj, dorëzimi i të cilëve drejtësisë do të mund t’i kuronte disi imazhin, por kurrësesi nuk do t’ja largonte atij barën e përgjegjësisë së papranuar të kanabizimit të vëndit.
Pra, përfundimisht, pashmangshmërisht, Edi Rama e ka të pamundur, për të mos thënë që është i dënuar të mos heqë dorë as nga droga as nga Sajmet që ja garantojnë atë, pasi pavarsisht damkës së keqe që mori këto 4vite, rezultati final i të gjithës i solli atij para pa hesap, me të cilat edhe realizoi kriminalizimin e zgjedhjeve të 25 Qërshorit, nëpërmjet shit-blerjes të votës.
Ndaj dhe megjithë orvatjen e tij për t’i ikur të qënit arkitet i kanabizimit të vëndit, apo për tu shfaqur vetull ngrysur dhe hije rëndë tavolinave televizive të task-forcës së tij, gjithmonë do e ndjekë nga pas si hije batuta e Spahiut tek filmi “Dora e ngrohtë”, personazh i luajtur nga aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, sipas së cilës “Bishtin e qenit sado ta drejtosh, prapë bisht qeni do mbetet”.

Artikulli paraprakVijojnë flakët e zjarreve në Zogaj dhe në Munellë
Artikulli tjetërNdihmësit që e bëjnë Merkel të pamposhtur