Përmbysje veneciane e kapjes së drejtësisë

Endrra e Edi Ramës për të futur në dorë sistemin e drejtësisë mori një goditje jo të vogël dje nga një institucion ndërkombëtar siç është Komisioni i Venecias. Veglat e tij të vendosura në institucionet e shtetit, në pjesën dërrmuese me axhendë të paracaktuar dhe në kundërshtim me ligjin, nuk do të jenë ata që do të kenë në dorë fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij vendi. Ato do të vazhdojnë të ngelen kompentencë e grupit të punës, që do të ngrihet për këtë qëllim nga organet kushtetuese të këtij vendi, siç janë Presidenca dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Komisioni i Venecias ka rrëzuar pikën kyçe të Vettingut përmes të cilës Rama synonte të kapte drejtësinë duke kontrolluar prokurorët dhe gjyqtarët përmes institucioneve të ekzekutivit. Vendimi i Venecias thotë se këto institucione të ekzekutivit duhet të jenë nën kontrollin e institucionit kushtetueses. “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”, tha deputeti Bylykbashi.

Kontroll i plotë i institucioneve kushtetuese

Partia Demokratike përshëndet miratimin e shpejtë të Opinionit të Komisionit të Venecias për 4 pyetjet që i ka drejtuar Gjykata Kushtetuese për vettingun. Opinioni i Komisionit të Venecias përbën kontribut për shqyrtimin e shpejtë dhe objektiv të çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se, grupi i punës i përbërë nga organet që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit (siç janë DSIK, SHKB në Ministrinë e Brendshme, DPPPP, etj), duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vettingut. Konkretisht, paragrafi 64 thekson se: “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”, thotë deputeti i PD-së. Më tej, ai shton se ky konkluzion është pikërisht ai që kish luftuar deri më tani dhe Partia Demokratike. “Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht qendrimin e Partisë Demokratike, se; procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se çdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit). E thënë qartë, paragrafi 64 i Opinionit të Komisionit të Venecias, sanksionon se vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet jo nga Kryeministri, por nga organet kushtetuese të rivlerësimit.
Komisioni i Venecias në paragrafët 46 dhe 58 çmon se është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë nëse organet kushtetuese të rivlerësimit, kanë kontrollin e plotë mbi organet qeveritare, si kusht që ligji të jetë në përputhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ-së. Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të vettingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetutese, e cila duhet të garantojë që ligji i vettingut të jetë në përputhje me Kushtetutën.
Vettingu, sipas Kushtetutës është garancia e vetme për largimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar‎. Vettingu, sipas ligjit antikushtetues të Edi Ramës mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet”, thotë deputeti i PD-së.

Reagimi i Bylykbashit

Kryeministri Rama paska filluar të interpretojë materien e komplikuar juridike dhe paska dalë në konkluzione që s’të linin shteg. Tashmë të rrimë të qetë se reforma është në rrugë të drejtë. Madje po i jepte me ton leksione edhe Gjykatës Kushtetuese se si ta përkthente opinionin e Komisionit të Venecias. Boll ta lexosh atë që thotë dhe e kupton se ata që ia kanë përkthyer Opinionin janë ata që deklaruan se ishin gati ta votonin Kushtetutën edhe pa e lexuar fare! Shpjegim i thjeshtë për një materie të komplikuar për Kryeministrin: Komisioni i Venecias nuk ka thënë në asnjë rresht që ligji i vetting-ut është Kushtetues. Të sfidoj të lexosh 65 paragrafet e Opinionit dhe po e gjete, e pranoj që jemi përballë një ngjarje historike. Madje, Komisioni ta thotë troç që kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese. Paragrafi 64 ta thotë troç se çështja thelbësore është që organet qeveritare që ti kontrollon duhet të veprojnë vetëm nën drejtimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese e të pavarura të vetting-ut dhe çdo prove apo dokument që kanë organet e tua, duhet t’ia dorëzojnë patjetër organeve të pavarura të vetting-ut. Pikë! Këtë ta thotë edhe në paragrafet 35, 54, 55 dhe 58. Bëje një sforco dhe lexo sa më sipër dhe besoj do të kuptosh që je ngatërruar nëpër pyll. Ky është thelbi i asaj që i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese dhe këtë mbështet edhe Venecia. Vettingu kushtetues që qëron me rrënjë korrupsionin në drejtësi është ky dhe jo ai që do të bësh ti për të vënë gjyqtarët e prokurorët që do të të mbyllin çështjet që do të të përndjekin ty dhe ministrat apo kryebashkiakët e tu. Zoti Kryeministër, Venecia i ka dhënë një udhërrëfyes Gjykatës dhe nuk i ka shkruar një vendim. I ka treguar limitet se si interpretohet më qartë Konventa e të Drejtave të Njeriut, se Kushtetutën e dinë ata vetë. Komisioni i Venecias i ka dhënë Gjykatës rrugën që e mbron nga presioni yt dhe garanton Kushtetutën e 22 korrikut. Pyet ndonjë profesionist që ke pranë se do të të thotë të njëjtën gjë. Mos pyet ata që intrigojnë për të kapur drejtësinë apo që votojnë pa lexuar. Dhe diçka të fundit; mos i bëj presion Gjykatës Kushtetuese. Ajo deklaratë e jotja sot, në një vend normal do të mjaftonte për të të filluar procedimin penal. Gjykata do të marrë vendim shpejt. Me siguri do mbroje vetting-un siç e miratuam më 22 korrik dhe sa më shpejt e fillojmë ta zbatojmë dhe të korruptuarit të shkojnë prapa hekurave, gjyqtarë, prokurorë e ministra. T’i bëj vetëm një gjë: mos e mero kriminelët që ke në grupin parlamentar në Komisionin Ad Hoc parlamentar që do përzgjedhë komisionerët e vetting-ut. Këtë test ke përpara ti.

Kundërshtimi i PD, kërkonte të njëjtën gjë si Venecia

Por si kërkonte Rama që të kryente procesin e vettingun me anë të veglave të tij në institucionet shtetërore?. Duke përfituar nga pozitat e tyre, siç mund të jenë fjala vjen, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DISK Drejtoria e Pastrimit të Parave. ILDKP apo dhe Shkolla e Magjistraturës apo Drejtoria e Ministrisë së Brendshme, ashtu siç është formuluar ligji, duket se këto institucione do të jenë ato që vendosin për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në fakt kërkesa për çdo prokuror apo gjyqtar duhet të dërgohet tek këto institucione nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit apo dhe Komisionerë publikë, ndërkohë që ligji siç kërkon ta bëjë Rama me rekomandimin e Xhafës parashikon fillimin e hetimeve në mënyrë të pavarur nga vetë institucionet. Gjithashtu, procesi i vlerësimit profesional i hiqet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe i kalohet Shkollës së Magjistraturës. Kjo shton dhe më tej dyshimet se hetimi mund të bëhet selektiv, dhe sipas dëshirave të kryeministrit, duke deformuar rezultatin e tyre. Eshtë pikërisht ky amendament që kish kërkuar opozita 24 orë përpara miratimit në seancë plenare të këtij ligji. “Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), pas sjell kontroll tërësor të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit (veçanërisht, tek komponenti i kontrollit të pasurisë dhe kontrollit të figurës). Ndërkohë, që testimi, sipas rastit, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve/prokurorëve, bëhet nga Shkolla e Magjistraturës, jashtë çdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vettingut. Ky fakt, bie ndesh me pikën 5, të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të Nenit  të Aneksit të Kushtetutës, ku qartësisht specifikohet se KPK apo Kolegji, sipas rastit përmes personelit të tyre, Komisionerit Publik ose vëzhguesve ndërkombëtarë, shqyrton deklaratën e subjektit për të shkuarën e tij”, thuhet në kundërshtimin e PD.

Emërimi i Hysenajt në krye të DPPP

Një hallkë tjetër, e cila është mjaft e rëndësishme në këtë proces është dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave. Pra është drejtoria që do të hetojë pasuritë e gjyqtarëve, përgjatë gjithë kohës që ata kanë ushtruar këtë funksion. Në qershor të këtij viti, Ministria e Financave që në krye ka një tjetër yes man të Ramës, Arben Ahmetaj, hapi procedurat për vendin vakant të drejtorit të Pastrimit të Parave. Në fakt deri në atë kohë këtë post e mbante Genti Gazheli një financues i PS-së, i cili u emërua ambasador në Turqi. Lideri global, kishte piketuar për këtë post Alket Hysenajn, i cili deri në atë kohë mbante kryetarin e garancive statuore në PS. Ishte pikërisht njeriu, i cili do ta kthente garën për kreun e PS-së, mes Ramës dhe Blushit, në një referendum që s’merrej vesh se ku donte të dilte. Natyrisht që në fund fitoi Rama, i cili ju shmang garës. Në PS, Hysenaj njihet si adhurues i kryetarit dhe vegël e bindur e urdhrave të tij. Kushdo mund ta kujtojë, emocionin e tij të thellë, kur lajmëroi tërë emocion fitoren “publishitare” të liderit në referendumin e stisur. Edhe në rastin e emërimit të Hysenajt, Rama sërish do shkelte e shpërfillte ligjin. E para, sepse procedurat për vendin vakant nuk mund t’i hapë Ministria e Financave, por Departamenti i Administratës Publike. Nga ana tjetër, sipas Ligjit të Nëpunësit Civil, drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, është Trupë e Nivelit të Lartë Drejtuese (TND), dhe ligji e përcakton qartë se në këtë post duhet një person që e gëzon këtë status. Alket Hysenaj, gëzon vetëm statusin e besimit të liderit, i cili në luftën për pushtet nuk pyet për ligje, por e trajton administratën si të ishte në çifligun e babait skulptor. Detyra e Hysenajt, është të gjejë gjilpërën në kashtë, pra të gjejë motivacion për të shkarkuar gjyqtarë ose prokurorë që nuk e kanë pëlqimin e kryetarit, por kurrsesi zbatimin e ligjit.

Emërimi i Sadushit në krye të Magjistraturës

Në dhjetor të  2014-ës, u krijua një zallamahi me emërimin e Sokol Sadushit, në krye të Shkollës së Magjistraturës. Eshtë pikërisht shkolla, që përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm pas përfundimit të sistemit trevjeçar dhe master në juridik. Ligji përcaktonte që kjo e drejtë për emërimin e drejtorit të kësaj shkolle, i takonte KLD-së. Në këtë vend, ai do të zëvendësonte Neshat Fanën i zgjedhur në këtë post vetëm diçka më shumë se një vit më parë sipas ligjit nga KLD. Por dhe këtu ndërhyri Xhafa, i cili me Sokol Sadushin ka dhe lidhje familjare, pasi është kunati i tij dhe me forcën e kartonit, kjo e drejtë emërimi dhe shkarkimi ju hoq KLD-së, dhe ju kalua Këshillit Drejtues,i cili brenda një mbledhjeje shkarkoi Fanën dhe emëroi Sadushin drejtor. Aso kohe, nuk ju vu shumë rëndësi, pasi vala e shkarkimeve nga Rilindja, e sapoardhur në pushtet ishte e madhe dhe një drejtor më shumë apo një më pak në opinionin publik nuk “ngrinte kandar”. Por petët lakrorit do i zbuloheshin pikërisht në momentin kur do të flitej për rivlerësimin e gjyqtarëve ose me vettingun e famshëm.
Shkolla e Magjistraturës në ligjin e vettingun është ajo që do të marrë në “provim” gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve. Nga kryetarët e gjykatave dhe deri tek gjyqtari më i thjeshtë, nga kryetarët e prokurorive të të gjitha niveleve dhe deri tek prokurori më i thjeshtë. Nuk janë pak, por 850 gjyqtarë dhe prokurorë të sistemit që në vlerësimin profesional do të varen nga dëshirat e Sokol Sadushit, kunatit të Fatmir Xhafës dhe njeri i besuar i Edi Ramës. Njeriu, i cili kontribuoi fort për hartimin e këtij drafti  dhe për hir të tij, Xhafa bllokoi reformën në korrik të këtij viti. Pra është një proces, i cili lë shumë shteg për manovrat e vlerësimit në fushën e jurisprudencës. Ai do të vendosë kush do të kalojë, dhe kush jo në testin profesional. Ai do të jetë ai që do të rekomandojë emrat, për zëvendësimin e atyre gjyqtarëve që me hir apo me pahir do të lenë punën, sepse kështu urdhëron lideri suprem. Më tej, është po Sadushi që prej kohësh në shkollën që e ka shndërruar në një çerdhe të rilindjes, do të rekomandojë emrat për gjyqtarë të të gjitha shkallëve.

Artikulli paraprakKrimi i Ramës, zhduku 620 milionë euro fatura të CEZ
Artikulli tjetërKriza e depresionit, vetëvrasje në Skrapar