Vettingu, Sindikata: Të përfshihen edhe Haki Çako me Artan Didin

Vetingu në polici nuk do të jetë i plotë dhe efikas, nëse nuk përfshin edhe dy ish-drejtuesit, Artan Didi dhe Haki Çako, pasi në periudhën kur ata ishin në krye të policisë u konstatuan mjaft shkelje. E këtij mendimi është Sindikata e Punonjësve të Policisë. Sipas kreut të Sindikatës, Sabetin Fishta, politika duhet të mbajë larg duart nga vettingu.
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sabetin Fishta kërkon nga komisionet e ngritura për kryerjen e procesit të Vettingut në Organizatën e Policisë, që pjesë e procesit të jenë patjetër dy ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe Haki Çako. Sipas Fishtës, në periudhën kur ata drejtonin organizatën e policisë janë konstatuar shkelje, të cilat kanë ndikuar në uljen e performancës së punës së policisë dhe inkriminimin e radhëve të saj.
Sabetin Fishta, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë: Policia e Shtetit është administruar dhe menaxhuar nga drejtora të ndryshëm që herë pas here, duke u përdorur nga politika kanë lënë gjurmë dhe kanë dëmtuar Policinë e Shtetit. Këta drejtues duhet të përgjgigjen për dëmin që i kanë shkaktuar shtetit. Sipas informacioneve që kemi ne, në lidhje me formularët e vettingut, edhe këto detaje duhet të jenë pjesë e pasqyrimit të aktivitetetit të secilit prej tyre.

Sipas Fishtës, vettingu në polici nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse politika fut duart në proçes, i cili duhet të jetë tërësisht transparent dhe me standarde. Sabetin Fishta, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë: Ka ardhur koha që organizata policore duhet të ndryshojë mënyrën e drejtimit. Duhet të drejtohet nga njerëz të pandikueshëm politikisht, të aftë dhe që zbatojnë vetëm ligjin. Ky vetting do e nxjerrë në pah edhe këtë dobësi që kanë punonjësit. Sa dhe si do përfundojë vettingu, varet edhe nga serioziteti që do ketë edhe politika që nuk duhet të ndërhyjë në procesin e vettingut që duhet të kalojë në mënyrë transparente dhe jo duke selektuar apo mënjanuar oficerë që edhe mund të kenë dhënë prova që janë të aftë.
Për Fishtën, vetting duhet të ketë edhe për punonjësit e Policisë së Burgjeve, Tatimeve apo edhe Doganave. Sabetin Fishta, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë: Siç është policia, ka edhe struktura të tjera që kanë nevojë të kalojnë të njëjtën procedurë siç po e kalon organizata e policisë. Janë Policia Tatimore, Doganat, Burgjet që janë të lidhura zinxhirë me njëra-tjetrën, të cilat duhet patjetër të kalojnë në vetting. Këtë të hënë, në Kuvend u votua në parim ligji për Vettingun në polici, ku pritet që javët e ardhshme të miratohen edhe aktet nënligjore dhe disa amendamente të propozuara nga LSI, që synojnë kontrollin e figurës dhe pasurisë së policëve.

Artikulli paraprakAntimafia italiane: Grupet shqiptare në aleancë me organizatat mafioze
Artikulli tjetërProdhuesit e Kosovës paralajmërojnë protesta: Barriera nga pala shqiptare