Vetëvrasja politike e Theresa May

“The Indipendent”
Theresa May duket se ka ngritur perspektivën e futjes së Britanisë së Madhe në marrëveshjen tranzitore të Brexit me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian në vitin 2019, në vend që të kërkojë një shkëputje të plotë. Ajo tha për “CBI” se, bizneset britanike duan ta shmangin “buzën e greminës” gjatë periudhës 2-vjetore.
Një zëdhënës i Downing Street tha më pas se një sërë çështjesh janë duke u shqyrtuar nga zyrtarët – edhe pse më pas u përpoqën të përhapnin spekulime se cilat ishin këto çështje. Por çfarë është në të vërtetë marrëveshja tranzitore me Bashkimin Europian dhe çfarë do të sillte ajo në terma praktikë?

Çfarë është marrëveshja tranzitore?
Nuk e dimë me siguri duke qenë se Kryeministrja britanike vazhdon t’i mbajë letrat e saj shumë të fshehura, duke mos dhënë asnjë detaj për këtë çështje. Megjithatë, kjo marrëveshje mendohet se do të bëjë që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Europian deri në vitin 2019, siç është planifikuar, por duke hyrë menjëherë më pas në një marrëdhënie të ngushtë tregtie me pjesën tjetër të bllokut, siç ka bërë Norvegjia si pjesë e Zonës Ekonomike Europiane.
Kjo mendohet të jetë diçka e lehtë për t’u arritur duke qenë se institucioni i Zonës Ekonomike Europiane ekziston dhe është funksional, pra Britania e Madhe nuk do të ketë nevojë të krijojë nga hiçi një mjedis të ri bashkëpunimi. Kjo marrëveshje mund të zgjasë për një periudhë të caktuar kohe, ndoshta për 2 vjet.
Një plan i tillë tranzicioni duket se është rekomanduar nga firma këshillimore “Open Europe” gjatë muajit gusht dhe tani po merret në shqyrtim nga qeveria britanike. Raoul Ruparel, ish-kreu ekzekutiv i “Open Europe”, është bërë tashmë një këshilltar i ngushtë i sekretarit të Brexit, David Davis.

Përse duhet kjo marrëveshje?
Kjo marrëveshje do të bënte të mundur që Britania të qëndronte brenda tregut të përbashkët. Në këtë mënyrë, do të përfitonte të gjithë avantazhet, siç është tregtimi i të mirave dhe shërbimeve pa tarifë shtesë brenda kontinentit. Bankat me qendër në Britaninë e Madhe do të vazhdonin të ruanin “pasaportën” e tyre, që do të thotë se nuk do të kenë nevojë të transferonin një numër të madh stafi jashtë Londrës për të garantuar vazhdimësinë e operacioneve të tyre kontinentale. Britania e Madhe do të kishte gjithashtu mundësi të firmoste marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet të tjera përreth botës dhe të rifillonte kontrollin e plotë të industrive të peshkimit dhe agrikulturës.

Po lëvizja e lirë e njerëzve?
Edhe ajo do të vazhdonte. Norvegjia lejon lëvizjen e lirë të njerëzve brenda Bashkimit Europian, njëlloj si anëtarët e tjerë të Zonës Ekonomike Europiane. Por, nga ana tjetër, a nuk është kjo marrëveshje njëlloj si të jenë anëtar i plotë i Bashkimit Europian? Në fakt ka disa kufizime më shumë.
Përveç lëvizjes së lirë dhe pagesave buxhetore, Mbretëria e Bashkuar duhet të pranojë dhe të implementojë rregullat e tregut të përbashkët pa pasur asnjë influencë mbi rregullat që e formulojnë duke qenë se nuk do të ishte më anëtare e Këshillit Europian apo e Parlamentit Europian dhe nuk do të kishte asnjë Komision Europian.

Një vetëvrasje politike për Theresa May?
Mënyra se si ajo dhe ministrat e saj po përpiqen ta shpjegojnë është që teknikisht, Britania e Madhe do të ndodhej jashtë institucioneve të Bashkimit Europian. Ajo mund të theksojë gjithashtu natyrën e përkohshme të kësaj marrëveshjeje tranzitore dhe avantazhet praktike të marrëveshjes janë të dukshme.
Shumë ekspertë tregtarë janë tepër dyshues kundrejt fizibilitetit të Britanisë së Madhe për të negociuar jo vetëm kushtet e divorcit Brexit me Bashkimin Europian në vitin 2019, por edhe të një marrëveshjeje të re tregtie me bllokun deri atëherë.

Shqetësimet e Brexit
Teksa koha kalon pa asnjë marrëveshje të suksesshme dhe të kënaqshme në tavolinë, Britania do të detyrohet të tregtojë me pjesën tjetër në bazë të kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë, gjë që do të shtonte tarifa të larta në të mirat e eksportuara. Më pas ka edhe mbi 50 marrëveshje të tjera të tregtisë së Bashkimin Europian me vende të tjera të botës, që nga Koreja e Jugut e deri tek Meksika. Pasi nuk do të jetë më palë e asnjë prej këtyre marrëveshjeve, Britania e Madhe do të detyrohet të negociojë marrëveshje të tjera individuale me secilin shtet deri në vitin 2019.

Shumë punë për dy vite
Theresa May mund të argumentojë se të gjitha këto janë thjesht të pamundura për t’u arritur dhe se mënyra e vetme për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian deri në vitin 2019 dhe të shmanget “buza e greminës” për eksportuesit britanikë, është të miratohet marrëveshja tranzitore. Duket si diçka që mund të bëhet, por media pro Brexit, konservatorët dhe UKIP-i mund të nuhasin një tradhti të rëndë në rast se kjo marrëveshje vihej mbi tavolinë.
Ata do të kenë frikë që marrëveshja tranzitore do të kthehej në një marrëveshje të përhershme – ndoshta edhe një prelud i rikthimit të Britanisë në Bashkimin Europian sipas nevojës, në rast se ndryshon opinioni publik për Brexit. Kjo është arsyeja përse që tani kanë filluar lobimet për të miratuar një Brexit të egër pa asnjë vonesë tjetër dhe arsyeja përse Kryeministrja May e ka kaq të vështirë edhe ta përmendë marrëveshjen tranzitore. Ndoshta ajo do të vendosë ta mbajë si plan rezervë, i cili do të vendoset në tavolinë vetëm në rast se negociatat shkojnë keq ose zvarriten shumë pasi t’i bëhet thirrje nenit 50.

Artikulli paraprakFillon, ndryshimi që po kërkon Franca
Artikulli tjetërFushata zgjedhore në Maqedoni