Ventura: Nuk kemi siguri për pikë as në Shqipëri

Të gjithë i frikësohen Shqipërisë. Pjesëmarrja në Europian dhe ndërgjegjësimi se skuadra e drejtuar nga De Biazi ka tashmë një grup shumë cilësor në përbërje, ka shtyrë edhe trajnerët e kombëtareve të mëdha, që të shohin me një sy tjetër kuqezinjtë. Ndaj nuk është aspak rastësi që edhe trajneri i Italisë, Xhampiero Ventura, ka paralajmëruar Spanjën se nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj kuqezinjve, ashtu si edhe kombëtarja që drejton ai vetë.
“Ndaj Spanjës nuk do të jetë një ndeshje vendimtare, por e rëndësishme”, tha Ventura para gazetarëve, në ditën e parë të grumbullimit të Italisë. “Ka ende shumë ndeshje për të luajtur dhe nuk kemi sigurinë që do të shkojmë e të marrim rezultat në fushën e Shqipërisë, ashtu siç nuk e ka Spanja”, ishte paralajmërimi i tij për iberikët se duhej t’i kushtonin vëmendje ekipit të De Biazit po aq sa ndaj atij italian.
Italia mundi Spanjën gjatë Euro 2016, por Ventura është i bindur se tani situata është më ndryshe nga ajo ndeshje e pak muajve më parë. “Do të ndeshemi me skuadrën më të fortë në grup”, pranoi ai. “Ajo ka humbur për herë të fundit një ndeshje në kualifikueset botërore plot 23 vite më parë.
Kjo është një skuadër e rëndësishme, nuk është më ajo, të cilën Italia e mundi në Europian, pasi ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, jo për sa u përket emrave të përveçëm, por mënyrës në të cilën qëndron në fushë dhe përballon ndeshjet”, deklaroi Ventura.
Trajneri foli edhe për Mario Balotelin, i cili është kthyer përsëri protagonist me fanellën e Nicës, në kampionatin francez të futbollit, por mungon në listën e Italisë. “Si lojtar nuk diskutohet. E kam thënë se nuk do t’i mbyllja askujt derën. Ftesën paraprake ia bëra, sepse u kthye të luante dhe shënonte. Tani duhet vazhdimësi”, tha ai, duke lënë të kuptohet se për “SuperMarion” mund të kishte hapësira të në ardhmen.

Artikulli paraprakAnkimimet në KPP, në fund të shtatorit arritën 1187
Artikulli tjetërBie shkalla e punësimit në tremujorin e dytë