Venezuela një muaj në revoltë popullore kundër diktaturës

Për të shënuar plot një muaj nga fillimi i mobilizimit kundër presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, opozita bën thirrje për protesta të reja në zemër të Karakasit dhe në të gjithë vendin, për të protestuar kundër “diktaturës”. Pas një muaji protestash që regjistruan 30 të vdekur, opozita nuk do të ndalet së ushtruari presion. Duam të thërrasim të gjithë popullin e Venezuelës, në 24 rajonet e vendit kundër diktaturës”, deklaroi dje Freddy Guevara, zëvendëspresidenti i Parlamentit, i vetmi institucion publik që opozita ka shumicën, në një konferencë shtypi. “Do të parakalojmë deri në selinë e Gjykatës së Lartë dhe Këshillit Qendror Zgjedhor, në qetësi dhe me vendosmëri”, dy organe “nën pushtetin” e qeverisë’, u shpreh ai. Ai saktësoi sem, sot opozita synon të organizojë disa tubime në të njëjtën kohë në Karakas dhe në qytetet e mëdha të vendit. Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka urdhëruar një rritje me 60% të pagës minimale të vendit, duke filluar nga kjo e hënë, e cila shënon edhe Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Duke përfshirë subvencionet e ushqimit, punëtorët më të paguar tani do të marrin me rreth 200,000 bolivarë në muaj (më pak se 50 dollarë apo 38 euro në normën e tregut të zi). Rritja e pagave është e treta për këtë vit nga zoti Maduro, raporton “BBC”. Ky vendimi i presidentit vjen një muaj pas shpërthimit të protestave vdekjeprurëse në vend. Demonstruesit dolën fillimisht në rrugë më 1 prill për të kërkuar zgjedhje, pasi gjykatat u përpoqën të forcojnë kontrollin e presidentit në pushtet. Përplasjet mes policisë dhe protestuesve, të cilët kanë pushtuar rrugët e të gjitha qyteteve venezueliane, kanë lënë 28 të vdekur. Analistët thonë se, nëse qeveria e Maduros nuk pranon ose nuk detyrohet që të shkojë në zgjedhje të parakoshme, siç kërkon opozita, situata në vend do të përkeqësohet edhe më shumë. Pak ditë më parë, Venezuela deklaroi se do të tërhiqet nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) pasi akuzoi këtë grup se po ndërhyn në çështjet e saj të brendshme. Qeveria venezueliane e bëri këtë lajmërim, pasi OAS votoi për të zhvilluar një takim të ministrave të Jashtëm për të diskutuar krizën në thellim në Venezuelë. Fiqnjët e Venezuelës janë të shqetësuar për trazirat në rritje në vend dhe synojnë të zhvillojnë diskutime për masa të mundshme për të qetësuar situatën. Por, sipas autoriteteve në Karakas, Venezuela nuk ka nevojë për gardianët e OAS për të zgjidhur problemet e saj. Ministrja e Jashtme e Venezuelës, Delcy Rodrigez tha se, Venezuela do të nisë procedurat e largimit nga OAS sipas udhëzimeve të Presidentit Nicolas Maduro dhe gjatë kësaj kohe nuk do të marrë pjesë në aktivitetet e grupit, që, sipas saj, kanë qëllimin e vetëm që të shqetësojnë stabilitetin e Venezuelës dhe të ndërhyjnë në çështjet e saj të brendshme.

Artikulli paraprakTurqia bllokon Wikipedian
Artikulli tjetërPapa kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për krizën me Korenë e Veriut