Vende të reja pune nuk ka, mashtrimi i INSTAT-it për papunësinë

Instituti i Statistikave njoftoi se, papunësia u me 0.8 pikë përqindje në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rënien më të fortë në dy vitet e fundit. Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2016 në Shqipëri, shkalla e papunësisë sipas definicionit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për popullsinë 15-64 rezultoi 16,9 për qind nga 17.7 që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Në pamje të parë, rënia kaq e fortë e papunësisë duket sikur sinjalizon rigjallërim të tregut të punës dhe bum të ekonomisë. Por shifrat e detajuara të punësimit, tregojnë një histori tjetër. Treguesi më i besueshëm i të dhënave në tregun e punës është numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas burimit administrativ. Këta janë të punësuarit, të cilët rezultojnë në listëpagesat e tatimeve dhe për të cilat paguhen detyrime. Në tre muajt e parë të vitit, për të cilët, INSTAT thotë se papunësia ra me 0.8 për qind, numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, po sipas INSTAT u rrit me vetëm 5 mijë vetë. Më konkretisht, nga numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor u rrit nga 395 mijë vetë që ishte në fund të vitit 2015 në 400 mijë vetë në tremujorin e parë të këtij viti. Por cila është mrekullia që ka ndodhur në tremujorin e parë, e cila ka bërë të mundur rënien kaq të madhe të papunësisë? Sipas INSTAT, ajo është bujqësia. Numri i të punësuarve në sektorin bujqësor, sipas INSTAT, u rrit me shifrën impresionuese prej 16 mijë vetësh në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me tremujorin paraardhës. Ndryshe nga të punësuarit në sektorin privat jo bujqësor, i cili del nga listëpagesat zyrtare që bizneset dorëzojnë në Tatime, numri i të punësuarve në sektorin bujqësor llogaritet përmes sondazhit që INSTAT kryen në 7500 familje. Ndaj ky tregues shpesh nuk konsiderohet i besueshëm dhe shpesh është dyshuar si instrumenti përmes të cilit qeveritë manipulojnë treguesin e papunësisë. Rritja e madhe e të punësuarve që raporton INSTAT në sektorin bujqësor ngre dhe dy pikëpyetje të tjera. Së pari, prej dy vitesh prodhimi bujqësor sipas INSTAT ka qenë në rënie. Vitin e kaluar madje, sektori i bujqësisë u rrudh me 0.94 për qind. Por edhe pse tkurr prodhimin, bujqësia rrit të punësuarit, një tjetër paradoks i pashpjegueshëm. Së dyti, sezoni bujqësor përkon me tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit. Ndaj kjo rrit më tej dyshimet tek besueshmëria e treguesve të punësimit në këtë sektor, i cili edhe pse jashtë sezoni rrit me 16 mijë vetë numrin e të punësuarve. Paradoksi i radhës i punësimit. Ndërkaq vendet e punës që vlejnë, në tremujorin e parë të vitit ishin vetëm 5 mijë dhe ky është një nga ritmet më të ulëta të krijimit të vendeve të reja të punës.

Artikulli paraprakRritja e borxheve të bizneseve
Artikulli tjetërAvokati: Nuk e përjashtoj se gjyqtarët u kërcënuan