Veliaj hap megatenderin, 2 miliardë lekë për ortakët

Bashkia e Tiranës ka hapur ditën e premte procedurat për tenderin e ndërtimit të 5 shkollave të reja në kryeqytet. Pjesë e programit “1 miliard”, projekti kap vlerën 1.94 miliardë lekë pa TVSH dhe do të jepet në formën e koncesionit me Partneritet Publik-Privat. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratore, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të pesë objekteve mësimore.
Vetëm pas përfundimit të ndërtimeve, Bashkia do t’i paguajë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj. Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më datë 27 dhjetor, ndërsa oferta ekonomike do të luajë një rol kryesor në përcaktimin e fituesit.
Objektet mësimore që do të ndërtohen janë si më poshtë:
Shkollë për arsimin 9-vjeçar në NJA nr. 9 pranë lagjes “Don Bosko”, me një kapacitet prej 600 nxënësish dhe 20 klasash.
Shkollë për arsimin 9-vjeçar në NJA nr. 11 brenda kompleksit universitar të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me kapacitet prej 900 nxënësish dhe 30 klasash.
Shkollë 9-vjeçare në NJA nr. 11 pranë rrethrrotullimit të Doganës, me kapacitet prej 900 nxënësish dhe 30 klasash.
Shkollë e mesme në NJA nr. 9 pranë lagjes Don Bosko, me kapacitet prej 630 nxënësish dhe 21 klasash.
Shkollë e mesme brenda kompleksit universitar të UBT, me kapacitet prej 630 nxënësish dhe 21 klasash.
Ndërtimi i këtyre objekteve përputhet me objektivat e Ministrisë së Arsimit, bashkëfinancuese në këtë tender, për lehtësimin e kapaciteteve në shkolla, duke reduktuar numrin e nxënësve për klasë.

Koncesioni për të gjitha shkollat

Mbi 460 mijë lekë të vjetra për metër katrorë. Kaq ka llogaritur projektuesi i Veliajt për koston e ndërtimit të shkollave. Mbi 54 miliardë lekë të vjetra do të kushtojë ndërtimi për 17 shkollat (5,406,768,353 lekë të reja).
“Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. Llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kostoja e mobilimit, kostoja e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore. Në total, kostoja direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë”, thuhet në relacionin e kontratës TIP.
Si do të punohet me koncesionarin? Fare thjeshtë sipas llogarive të bashkisë: për 7 vjet do të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë që i përdor bashkia.
“Duke qenë se koncesionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare, atëherë ai do të duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%”, thuhet më tej.
Mendoni se 54 miliardë lekë është kostoja totale? Jo! Asaj do t’i shtohen miliarda të tjera.
“Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kostoja totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë”, sqarohen miliardat “stratosferike”, mbi 79 miliardë lekë të vjetra.

Artikulli paraprakFarsa e dosjes anti-Trump
Artikulli tjetërKLSH: 820 milionë euro dëmi dhe të ardhura të munguara në 2016