Vdekshmëria e lartë e personave të intubuar tregon dështimin e plotë të menaxhimit të situatës së Covid-19

Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia, në një intervistë në TV Fax News u shpreh se, vdekshmëria e lartë e personave të intubuar, shenjë e dështimit të plotë të menaxhimit të situatës së Covid-19.

Spahia tha më tej se, megjithë insistimin tonë për nevojën e rritjes së numrit të testeve, edhe sipas sugjerimeve të ekspertëve autoritarë botërorë, nuk ka reflektim, por vetëm fshehje të situatës, e cila nuk rregullohet vetë, por vetëm agravohet!

“Mungesa e transparencës për menaxhimin e kësaj pandemie në vend, shoqërohet edhe me mungesën e një analize që është jetike për mënyrën se si trajtohen personat e infektuar. Vdekshmëria e personave të intubuar në Shqipëri është diku mbi 98%, cka dëshmon dështim total të menaxhimit të personave të infektuar që nga momenti kur kërkojnë ndihmë, nga ana e strukturave shëndetësore shtetërore.

Ky është një tjetër aspekt i trishtë që tregon edhe njëherë dështimin e plotë të qeverisë në përballimin e kësaj situate. Me insistim kam kërkuar të bëhet publike përqindja e vdekshmërisë të personave të intubuar. Nga të gjitha informacionet që kam unë përqindja e vdekshmërisë është mbi 98%. Janë fare pak raste, të cilët janë intubuar dhe kanë arritur të ekstubohen me sukses. Në momentin ku pandemia arriti kulmin në Itali vdekshmëria e personave të intubuar ishte 50%. Pra cka do të thotë se 1 në 2 pacientë arrinte të shpëtonte.

Bëhej fjalë për pikun e epidemisë në Italinë e Veriut e kur strukturat ishin në prag të kolapsit për shkak të mbingarkesës. Duhet patur parasysh edhe fakti, që në Itali në momentin e kulmit të pandemisë, bëhej fjalë për pacientë me moshë mesatare, shumë më të madhe se Shqipëria. E kemi thënë e stërthënë disa herë. Nuk mund të lihen pacientët shqiptarë në shtëpi, kur simptomat e tyre janë evidente, të theksuara e gjendja e tyre e rënduar dhe t’u jepet kurimi nëpërmjet 127-ës.

Megjithë insistimin tonë për nevojën e rritjes së numrit të testeve, edhe sipas sugjerimeve të ekspertëve autoritarë botërorë, nuk ka reflektim, por vetëm fshehje të situatës, e cila nuk rregullohet vetë, por vetëm agravohet! Eshtë papërgjegjshmëri skandaloze mungesa e transparencës edhe për cilësinë e tamponëve e të testeve serologjikë sepse ka shumë denoncime të rezultateve false! Kolapsi nuk tejkalohet me propagandë, por vetëm me investim serioz e adeguat, me reparte të reja, mjete e logjistikë për përballimin e virusit Korona”, u shpreh Spahia.

Artikulli paraprakPërse nuk ka besim tek Policia e Shtetit?!
Artikulli tjetërCovid-19 futet në burgje, 8 të dënuar rezultojnë pozitivë