Vdekja e dyfishtë në maternitet, urgjenca nuk përdori aparaturat e imazherisë

Një 35-vjeçare, në muajin e fundit të shtatzënisë dhe fëmija e saj i palindur, humbën jetën në maternitetin “Koço Gliozheni” disa ditë më parë. Shkaku i vdekjes ishte gjakderdhje e brendshme në shpretkë, e cila nuk u arrit të diagnostikohej dhe të ndalohej nga mjekët e tri spitaleve kryesore të vendit, por u mësua vetëm pas kryerjes së autopsisë së viktimës.

Ngjarja

Viktima fillimisht i është drejtuar maternitet “Koço Gliozheni” në orën 22:15, të premten në mbrëmje vonë, me dhembje të forta në pjesën e barkut dhe të gjoksit. Mjekët roje të maternitetit pasi kanë kryer vizitë kanë konstatuar se gjendja e fëmijës në bark ishte e shëndetshme dhe pacientja nuk ishte pranë lindjes. Ata kanë përjashtuar mundësinë që dhembjet e pacientes të ishin për shkaqe të lidhura me shtatzëninë dhe kanë dyshuar për probleme kardiake.
Pasi kanë kërkuar ndihmë për mjekë kardiakë nga Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT) dhe nuk kanë mundur që të sigurojnë një të tillë, ata kanë vendosur që ta dërgojnë pacienten në QSUT, disa kilometra më tutje.
Pasi e kanë kontrolluar për zemrën dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim për rreth katër orë, mjekët e QSUT-së kanë përjashtuar problemet kardiake dhe duke dyshuar për problem të mushkërisë kanë vendosur ta përcjellin viktimën në Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive (Senatorium), rreth 4 kilometra më tutje.
Pacientja ka arritur në Senatorium mes orës 3:30-04:00 të mëngjesit. Ata kanë përjashtuar menjëherë problemet e mushkërive, por kanë konstatuar se pacientja kishte hemorragji të brendshme. Duke e menduar se hemorragjia mund të ishte e lidhur me shtatzëninë dhe duke qenë se zyrtarisht pacientja ishte e maternitetit, ata e kanë rinisur atë drejt maternitetit “Koço Gliozheni”, ku ajo ka mbërritur rreth diku midis orës 4:30-5:00 të mëngjesit, në gjendje kritike për jetën.
Mjekët e maternitetit kanë ribërë menjëherë analizën eko dhe kanë konstatuar se fëmija në barkun e nënës kishte vdekur tashmë dhe ata kanë vendosur të ndërhyjnë për heqjen e tij. Gjatë kësaj procedure ose menjëherë pas saj viktima ka humbur jetën. Familjarët janë njoftuar për vdekjen e saj rreth orës 06:00 të mëngjesit, rreth tetë orë pasi pacientja u paraqit për ndihmë në maternitet.
Autopsia më vonë arriti në përfundimin se viktima ka pasur shpretkën të dëmtuar, nga e cila ka rrjedhur gjak, që ka qenë shkaku kryesor i vdekjes së pacientes. Ndërkohë, dyshohet se foshnja në bark ka vdekur për shkak të trajtimit të gabuar që iu bë pacientes në QSUT.
Pas vdekjes, familjarët e viktimës denoncuan shërbimin spitalor për neglizhencë dhe vonesë në dhënien e ndihmës. Sipas tyre urgjenca e maternitetit ishte e mbyllur dhe u është dashur të presin 20 minuta që aty të vinin mjekët; mjekët nuk i kanë bërë analizat e duhura; dhe materniteti nuk ka pasur ambulancë me oksigjen.
Ndërkohë Prokuroria ka filluar të hetojë ngjarjen dhe ndaloi dy mjekët roje të maternitetit me akuzën e vonesës në dhënien e shërbimit edhe pse ky vendim i Prokurorisë duket i ngutur.
Akuzave të familjarëve, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj iu përgjigj se, “Ambulancat tona kanë të gjitha oksigjen, i kemi sqaruar rrethanat e vdekjes tragjike dhe nuk duhet hedhur baltë mbi mjekët”.

Rrethanat fatkeqe të vdekjes

Duhet theksuar se edhe pse rasti duket një rast rutinë që po të ishte trajtuar me profesionalizëm dhe përkujdesjen e duhur nuk do të ishte kthyer në një tragjedi, disa rrethana e kanë bërë rastin jo të lehtë për të gjithë mjekët që janë marrë me të.
Duket paradoksale, por edhe pse do të mjaftonte një analizë gjaku në kohë dhe një eko e thjeshtë do ta kishte diagnostikuar menjëherë gjakderdhjen e brendshme, dyshimi për një gjakderdhje në shpretkë nuk është një diagnozë që mund të mendohej lehtë nisur nga rrethanat dhe simptomat e paraqitura.
Po ashtu, është fakt se hemorragjia nga shpretka ka si shkak kryesor ose dëmtimin fizik të saj për shkak të traumës ose nga sëmundje të caktuara. Tashmë dihet se pacientja nuk ka kryer asnjë kontroll gjinekologjik gjatë katër muajve të fundit dhe nuk ka qenë e vetëdijshme se fëmija në bark ishte në një peshë të pazakontë, çfarë kërkonte një kujdesje të veçantë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme. Një hipotezë e mundshme është që shpretka është dëmtuar nga goditjet e fëmijës.
Nëse nuk është ky shkaku i çarjes së shpretkës, atëherë pacientja duhet të ketë provuar traumë fizike për çfarëdo shkaku të mundshëm ose duhet të ketë vuajtur nga sëmundje të caktuara. Fatkeqësisht, pacientja dhe familjarët e saj nuk kanë qenë fare të dobishëm për mjekët pritës të maternitetit, pasi nuk kanë ofruar asnjë informacion përveç përshkrimit të dhembjes që përjetonte pacientja.

Sistemi skandaloz i kujdesit spitalor

Nuk ka asnjë dyshim që të gjithë mjekët që u morën me pacientin kanë në një mënyrë apo në një tjetër, në një masë apo në një tjetër përgjegjësi dhe me gjasa faj për të dy vdekjet. Disa prej tyre kanë dështuar si mjekë, profesionalisht dhe etikisht. Ka gjasa që disa prej tyre kanë tregur si shqetësim kryesor largimin e përgjegjësisë nga vetja më shumë se shpëtimin e saj.
Por kaq nuk mjafton për të rrokur gjithë të vërtetën. Një nga shkaqet kryesore të fatkeqësisë është fakti se edhe pse në gjendje të rëndë dhe për disa orë në gjendje kritike për jetën, e sëmura është transportuar në tri spitale të ndryshme në kushte transportimi që nuk ofrojnë minimumin e domosdoshëm për rastet kritike për jetën.
Kjo sorollatje jo vetëm ka rënduar gjendjen e saj, jo vetëm ka humbur kohë të rëndësishme për trajtimin dhe përkujdesjen ndaj saj, por ka humbur kohë të madhe përmes përsëritjes së njohjes me rastin dhe kryerjen e kontrolleve bazike nga e para në çdo spital.
Gjëja më skandaloze është se ndërsa pacientja u paraqit në një “spital”, ajo në fakt u pasua nga spitali në spital, në tre spitalet më të rëndësishme të vendit ku gjithsecili i kontrollonte vetëm një organ apo simptomë: materniteti i kontrolloi vetëm gjendjen e shtatzënisë, QSUT-ja vetëm problemet kardiake; kurse Sanatoriumi vetëm problemet e mushkërisë.
Edhe pse pacientja ishte në gjendje kritike për jetën, secili nga këto spitale i ofroi vetëm një minimum dhe duket se kanë qenë të prirur ta shtyjnë tek tjetri menjëherë.
Është e pakuptueshme pse materniteti “Koço Gliozheni”, një nga dy maternitetet më të rëndësishëm në vend që kujdeset për mijëra raste në vit, nuk ka një kardiolog dhe ka një shërbim reanimacioni të papërshtatshëm dhe jo funksional.
Është e pajustifikueshme pse QSUT, e cila ka të gjitha aparaturat e imazherisë për të bërë një kontroll të plotë të brendshëm të pacientes, nuk e ka bërë një kontroll të tillë: urgjenca më e madhe në vend nuk arrin të diagnostikojë një hemorragji masive të brendshme, e cila mund të diagnostikohej me një analizë rutinë.
I gjithë sistemi i spitaleve kombëtare është një sistem i fragmentuar si nga pikëpamja e menaxhimit edhe ajo mjekësore duke rritur kostot, ulur efikasitetin dhe rritur rrezikun ndaj pacientëve.
Reforma në sistemin spitalor të vendit ka njohur vetëm dy zhvillime: privatizimin e shërbimeve tek klientët e qeverisë dhe krijimin e fasadave.

Hetim edhe në spitalet e tjera

Përveç hetimeve që po kryhen në spitalin “Koço Gliozheni”, Prokuroria e Tiranës i ka zgjeruar verifikimet e saj edhe në dy spitalet e tjera ku u transportua e ndjera Aida Çakju.
Burime nga grupi hetimor thanë se janë marrë në pyetje mjekë të spitalit “Nënë Tereza” dhe të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Të parët për shkak se gruaja shtatzënë u dërgua aty nga mjekët e maternitetit dhe të dytët sepse e kthyen me urgjencë sërish në maternitet.
Mjeku kardiolog i spitalit “Nënë Tereza” ka rrëfyer se kur gruaja, në muajin e nëntë të shtatzënisë, ishte lënë në duart e tyre, ajo merrte frymë me vështirësi dhe pas një konstatimi të tillë dhe një konsulte urgjente ata dyshuan se kishte probleme me organet e frymëmarrjes, ndaj edhe e përcollën për në Sanatorium.
Por mjekët pneumologë janë mbrojtur duke shpjeguar se Aida Çakju kishte gjakderdhje dhe ishte e pamundur të ndërhynin për ta trajtuar. Burimet shpjeguan se në spitalin “Nënë Tereza” nuk rezulton që ta kenë regjistruar të ndjerën, ndërkohë që në maternitetin “Koço Gliozheni” dyshohet se janë shkelur procedurat minimale siç është edhe detyrimi për dhënie ndihme.
Për dy mjekët e ndaluar, Helidon Klodi dhe Dritan Deçka, Prokuroria i kërkon Gjykatës së Tiranës t’i lënë në burg me afat 45-ditor derisa të mbërrijë ekspertiza e mjekësisë ligjore që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së Aidës dhe foshnjës.
Prokuroria deklaron në rrugë jozyrtare se kërkoi ndalimin e vetëm dy mjekëve nga 4 që janë nën hetim pasi ka dyshime se përgjegjësia bie mbi ta përsa kohë ata janë të specializuar si mjekë obstetër gjinekologë.
Ndërkohë që për mjeken e tretë Nazime Ceni dhe infermieren, nga dokumentet e sekuestruara deri më tani rezulton se ato duhet të vepronin me urdhrin e dy kolegëve që ndodheshin në shërbim mbrëmjen e së premtes. Hetimet për vdekjen e Aida Çakjut, e cila u dërgua nga i vëllai për të lindur, po ndiqen me akuzën e “mjekimit të palukjdesshëm”.

“Exit.al”

Artikulli paraprakGjobat e reja sipas kategorisë së bizneseve
Artikulli tjetërTransferohen jashtë vendit 90 milionë euro