Uri proteinike dhe kokainë, derisa të fillojë ‘Narcos’!

Nga Gent STRAZIMIRI

Të parët në glob për konsum kokaine rezultojnë shqiptarët, të cilët janë po ashtu të parët mes pabuksave të globit…(!?)
Janë të parët, jo të dytët pas kolumbianëve që e prodhojnë vetë dhe me kokainë furnizojnë globin por nuk e konsumokan… s’u del hesapi…
E dhëna duket kontradiktore, duke patur parasysh që kokaina është “vesi i pasanikëve” jo i pabuksave.
Atëherë si arrijnë qytetarët më fatkeqë të globit ku mbi 50% e popullsisë po përjeton zyrtarisht urinë proteinike, t’i lejojnë vetes luksin e konsumit te një droge që konsumohet normalisht pas darkës me haviar Azerbaixhani dhe Dom Perignon?
E vetmja përgjigje e logjikshme, është që oferta e kokainës në Shqipëri është aq e lartë dhe furnizuesit vërtetë “të dorës së parë”, saqë pabuksave ua shesin krejt pranë çmimit të blerjes dhe përsëri fitojnë… Domethënë që ka pafund e për të gjithë!!!
Tregu i kokainës nuk ka qenë kurrë relevant në Shqipëri!
Kurrë! Edhe kur shteti ishte në gjunjë, madje edhe kur shteti merrej vetë me drogë si në ’97-2001, “çunat” merreshin me heroinë jo me kokainë.
Kokaina trafikohej si “kusur” përmes rrjeteve të heroinës, dhe konsumohej ekskluzivisht nga parellinjtë e rinj që njiheshin me emra nëpër Tiranë, ç’ka nuk përbënte as statistikë.

Kokaina, ndryshe nga heroina etj., për vetë natyrën e rrjeteve kriminale që e kultivojnë, përpunojnë e shpërndajnë, kërkon garancitë politike të nivelit më të lartë, kërkon si partner “shtet”, sepse vetë funksionon vertikalisht e pa mëshrirë si shteti më i përgjakshëm…
Deri në 2014, asnjë politikan sado i mbrapshtë, asnjë qeveri sado e paqenë apo sado “business oriented” të ketë qenë, nuk është aventuruar deri tek kokaina.
Në fillim të 2014 partnerët filluan të sinjalizojnë ekzistencën, e më pas të veprojnë vetë në shkatërrimin e rrjeteve kriminale të trafikut të kokainës në Shqipëri, të cilat kishin filluar ta përpunonin në laboratorët e tyre, madje me “mercologë” kolumbianë…
Operacionet me bashkëpunim ndërkombëtar, policia shqiptare i dështoi me sukses të plotë, duke vënë në pranga vetëm nivelet e treta të narkosve, dhe në asnjë rast duke publikuar apo shpallur në kërkim krerët e organizatës.
Brenda vitit 2014 sasirat e kokainës të kapura rrugës nga Ekuadori e deri në Mal të Zi, me destinacion Shqipërinë, arritën disa qindra kilogramë, që do me thënë 40-50 fishim i dinamikës më të lartë historike.
Që atëherë pyetja shtrohej:
– A janë të pafuqishëm, apo përfitojnë?!

Përgjigja është 1 dhe e vetme si atëherë:
– Janë të pafuqishëm sepse përfitojnë!!!!
Sot, vetëm 4 vjet më pas Italia, Anglia, Holanda, Gjermania po deklarojnë se zotët e kokainës, më të përgjakshmes mes drograve, në Evropë janë tashmë shqiptarët, dhe “bosët e krimit dhe trafikut janë në Shqipëri”!!!
Kjo do të thotë që narko-trafiku ndërkombëtar i kokainës ka gjetur në Shqipëri garancinë më të lartë, ka gjetur partneritetin shtet-“shtet”, kushtin më të domosdoshëm për të hedhur sytë drejt një territori.
Kjo do të thotë që droga në Shqipëri nën garantët e kokainës është kthyer në një gjë jashtëzakonisht serioze!
Sa serioze?
Bëni diferencën midis 2, 3, 5 a po të doni 15 katunarëve, që “marrin leje” tek “shefi” për të mbjellë hashash në mal, dhe Pablo Escobarit apo “El Chapo”…
Nuk është sukses kur DEA, legjendarja amerikane që gjurmon vetëm kokainën detyrohet të hapë zyrë fikse në Tiranë!
Nuk është sukses kur gjermania Bundeskriminalamt, më efiçentja evropiane, apo FRONTEX dhjetëfishojnë numrin e oficerëve në këtë b*thë vend që jeton vetëm me thashetheme e ku kudo di gjithçka për këdo.

Është përgatitje për luftë!
Luftë me kokainën sepse ata përqendrohen atje ku kokaina përqendrohet! Dhe kokaina përqendrohet atje ku ka gjetur garanci politike!!
Po përgatiten për një luftë që do të zhvillohet këtu tek ne! Në rrugët, lokalet, shkollat e kopshtet, plazhet e sigurisht në kullat që narko-paraja po mbjell nëpër Tiranë.
Atë ditë, kur gjaku i viktimave të pafajshme si në serialin “Narcos”, të na ketë zënë sytë, dikush do pyesë “ore si u bëmë kështu? Si nisi?”
Nisi atë ditë kur votove atë “çunin e shkathët” të lagjes në listën e Edi Ramës për parlament, i cili bëri listën e policëve që duhej të hynin në punë sepse “e kishin ndihmuar në fushatë”.
Nisi atë ditë kur të kapën ministrin e brendshëm në narko-trafik me ” bravo çunat”, dhe kolegët kriminelë refuzuan t’ia japin drejtësisë, apo kur zëvendësi i tij u bë vëllai i një “narcos-i” fiks si tek filmi…
Më pas erdhi ajo dita e shenjtë kur edhe hoxha doli në mbrojtje të një “narcos-i” që e kapën grekët nën shoqërinë e atij që mburret se po spastron edhe drejtësinë nga… të pandershmit!
Këtë do mendosh atë ditë kur do shohësh e përjetosh vetë, pa nevojë për biletë apo për Digitalb serialin “Narcos” në rrugët e Tiranës! Sigurisht nëse fati s’ta ka shkruar të jesh një nga ata figurantët e filmit, e të le kohë të mendosh…

Artikulli paraprakProkuroria i bindet Ramës, asnjë hetim për trafikantin e Ballës që mori 14 milionë euro nga Buxheti
Artikulli tjetërBeu i Surrelit me avion charter për të parë Juven, shqiptarët paguajnë