“Unaza e Re”/ Rebelohen protestuesit ndaj Ramës: O kryefaqezi, nesër na ke në Parlament

Banorët e Unazës së Re, të cilët sërish kanë dalë edhe sot në protestë në ditën e 18 të saj, kërkojnë dëmshpërblim për prishjen e banesave që preken nga projekti.
Ata bllokuan aksin tek Unaza e Re që lidh Pallatin me Shigjeta dhe sheshin “Shqiponja”.
Drejtuesit e mjeteve nuk ishin shumë entuziastë për këtë fakt dhe revoltën e tyre e shprehen me bori makinash.
Por përkundër kësaj, banorët e “Astirit” thonë se asgjë nuk do t’i ndalë të mbrojnë banesat e tyre, qoftë edhe me gjak.
“Ku ka qenë ky shtet 24 vite që më thoshte, ‘pse ke ndërtuar në këtë tokë’, ku ka qenë ky shtet gjithë këto vite”, tha një prej banorëve.
Ndërsa një tjetër qytetar tha se ai nuk do lejojë që të t’i prishet banesa dhe bëri dhe një “kërcënim”…
“Edi Rama duhet të ketë kujdes, se një fjale i thonë e vogla sjell gjithmonë të madhen”.
“I bëj thirrje kryeministrit, që nesër protesta do të jetë përpara parlamentit dhe nëse nuk dëgjoni ne mund të futemi dhe brenda në Kuvend. Prandaj nëse në orën 10 do të jemi të gjithë përpara Parlamentit të mbështetur dhe nga banorët e Bregut të Lumit”, shtoi një tjetër qytetar.

“I bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar që të ngrihen se kjo është një kauzë për gjithë Shqipërinë që po ik drejt humnerës. Po ikin njerëzit jashtë. U bëj thirrje të gjithë Ambasadave. O kryefaqezi, pronën do ta mbrojmë me gjak, me jetë!
Ti do të më vrasësh mua, pas meje do të vish dhe ti. Do të vdes për pronën time. Vetëm mashtrime ke bërë me këtë popull, por nuk na shtyp dot. Po na vrave ne, do të dalin dhe të tjerët më të fortë se ne dhe ti me ne e ke fundin, ta kesh të qartë. Lëri lojërat politike se nuk jemi për politikë, jemi për të drejtën tonë legjitime.
Avokati i Popullit të mos flejë gjumë, u bëj thirrje të gjithë Ambasadave, shoqatave të të drejtave të njeriut, të vinë tani sa nuk është vonë. Më vonë nuk e di çfarë do të bëhet, do ti mbrojmë me gjak pronat tona. Jemi të gjithë të bashkuar dhe nuk na përçani dot.
Protestuesi: I bëj thirrje Edi Ramës, shporru!”, u shpreh një tjetër qytetar.
Në ditën e 18 të protestave të tyre, banorët e zonës së “Astirit” te Unaza e Re bllokuan sërish këtë segment rrugor.
Banorët kanë ripërsëritur kërkesat ndaj qeverisë dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj, që t’i dëmshpërblejë për banesat dhe bizneset, në të kundërt do t’i mbrojnë me armë.
Edhe në protestën e sotme, banorët mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: ‘Jemi qytetarë, nuk jemi shpellarë’, apo edhe ‘Shtëpia mbrohet me jetë’.

Banorët janë shprehur se, “Nuk ka asnjë fije transparencë, as nga qeveria as bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Qeveria edhe mund të na terrorizojë, por ne me trupin e jetën tonë do i mbrojmë banesat”.
Ata kanë bllokuar rrugën, ndërsa shprehen se i kanë banesat në proces legalizimi dhe kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut.
Në mbështetje të protestuesve ishin deputetë të opozitës, por edhe aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që kundërshtojë prishjen e Teatrit Kombëtar.
Për projektin e “Unazës së Madhe” parashikohet që të shemben 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe 123 janë me vërtetime pronësie.
Autoritetet thonë se do të veprohet sipas ligjit duke kompensuar vetëm ndërtimet e ligjëruara, ndërsa ato joligjore do të ndihmohen me dhënien e bonuseve të qirasë deri në tre vjet.

05 3

Artikulli paraprak“U lirua nga burgu, do të vrasë me snajper” letra nga burgu për Salianjin, kush është vrasësi
Artikulli tjetërBanorëve iu kërkua të lironin shtëpitë, ja si u shkel ligji në rastin e Astirit