Ultimatum 10 ditë për Bellerin

Hector Bellerin ka vetëm 10 ditë kohë për të bindur Arsenalin që ta lejojë të largohet drejt Barcelonës, ndryshe klubi katalan do të shohë alternativa të tjera në merkato. El mundo Deportivo hapet pikërisht me këtë titull ultimativ në numrin e kësaj të marte, duke ushtruar presion te lojtari i rritur në akademinë e Barcelonës, por që spikati në radhët e Topçinjve të Londrës. Java e ardhshme do të jetë vendimtare për bisedimet, sepse duhet marrë një vendim përfundimtar. Drejtuesit e Barcelonës nuk dëshirojnë të mbeten të varur te kjo pistë, sepse synojnë ta zgjidhin sa më shpejt çështjen e mbrojtësit të djathtë. Bellerin shihet si pasuesi ideal i Dani Alveshit, që la një hendek të madh në rolin e tij, ku Alex Vidal në asnjë moment nuk ishte në lartësinë e kërkuar.
Bellerin ka shumë dëshirë të kthehet në Barcelonë, aty ku u formua si futbollist, por duhet të këmbëngulë që Arsenali ta lërë t’u bashkohet blaugranave. Janë disa pengesat për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve. Arsen Wenger me shumë mundësi do të humbasë shërbimet e disa elementëve kyç, si Alexis Sanchez dhe Mesut Ozil dhe mund të lejojë që të njëjtën rrugë të ndjekin edhe lojtarët më të rinj. Në kushtet e krijuara, Barcelona ka përcaktuar edhe 10 ditë kohë për t’i mbajtur të hapura bisedimet, nëse nuk do të ketë zhvillime pozitive, do të heqin dorë përfundimisht nga Bellerin.
Luis Muriel lë Italinë për Spanjën. Pasi rinovoi kontratën deri në vitin 2021 me Sampdorian, sulmuesi kolumbian është vetëm një hap larg transferimit te Sevilla. Skuadra andaluziane ka arritur akordin me klubin dorian për të blerë kartonin e Muriel, duke mposhtur konkurencën e Lazios dhe Valencias. Për 26-vjeçarin, Sevilla do t’i paguajë Sampdorias 22 milionë euro, plus 6 milionë të tjera në formë bonusesh. Sulmuesi i Los Cafeteros do të firmosë me klubin e La Ligas një kontratë 4-vjeçare nga e cila do të përfitojë 2 milionë euro në sezon.
Paulinho nuk do të transferohet te Barcelona. Mesfushori i kombëtares braziliane është një nga dëshirat e klubit blaugrana për repartin e ndërmjetëm, por janë të pakta shanset që ish-lojtari i Tottenhamit të largohet nga Guangzhou Evergrande. Për të blinduar 28-vjeçarin kanë mjaftuar disa deklarata të trajnerit Luiz Felipe Scolari, me numrin 1 të Guangzhou Evergrandes që është shprehur se klubet kineze nuk lejojnë të largohen lojtarët e tyre më të mirë.

Artikulli paraprakAnaliza e Bajernit
Artikulli tjetërKoalicioni i panatyrshëm i Theresa May-t