Ulet me 60% fitimi i bankave për 2 mujorin 2016

Fitimi i sistemit bankar ka shënuar një rënie të ndjeshme në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, për periudhën janar-shkurt 2016, ai ka zbritur në 2.2 miliardë lekë , nga 5.4 miliardë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej rreth 60%. Gjatë vitit 2015, statistikat e Shoqatës së Bankave dhe ato të Bankës së Shqipërisë treguan një panoramë të kundër të fitimeve të sistemit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan një rritje të ndjeshme të fitimeve të sistemit bankar në vitin 2015, me 40% në 15.7 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat sipas standardeve lokale GAAP. Ndërsa të dhënat e Shoqatës së Bankave, të raportuara sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, tregojnë një rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-n, në 4.9 miliardë lekë në 2015-n (ky i fundit është dhe standardi sipas të cilit bankat raportojnë dhe te tatimet, e paguajnë taksat). Diferencat shpjegohen me mënyrën si bëhen provigjionimet e kredive me probleme sipas secilit standard. Për bankierët, sfida më e madhe mbetet se si do të veprojnë ata në mjedisin me interesa të ulëta. Në 9 muajt e parë të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e fondeve të lira të bankave u investuan në institucione të tjera financiare jashtë vendit, ndërsa kredia për ekonominië (ku bankat mund të fitojnë më shumë), mbeti e vakët për shkak të riskut të lartë. Por, me vendosjen e parave jashtë që filloi të jepte interesa negative, në tremujorin e fundit 2015, bankat i depozituan paratë në Bankën Qendrore. Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt tek Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Në kahun tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për bono (një tjetër mjet investimi i parave të lira të bankave) është e ulët, pas emetimit të eurobondit të ri në nëntor 2015. Të gjendur përballë kësaj situate dhe sinjaleve për një vazhdim të politikës lehtësuese monetare, bankierët kanë pohuar për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv. “Kombinimi i rritjes së ulët ekonomike së bashku me normat shumë të ulëta të interesit mund të jetë një dhembje koke për sistemin shqiptar financiar dhe ekonominë, duke qenë se normat e ulëta të interesit nuk garantojnë domosdoshmërisht më shumë kreditim për ekonominë, siç po dëshmohet sot në Bashkimin Monetar Europian”, thotë z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). “Për sistemin bankar, ka një problem me uljen e normave të interesit, në këndvështrimin që ky është një kërcënim që biznesi të jetë i qëndrueshëm. Në rast se rënia e ndjeshme e të ardhurave nga reduktimi i normave të interesit nuk do të kompensohet nga një eficencë më e madhe për sa i përket menaxhimit të kostove dhe cilësisë së portofolit të huas, kjo mund të ketë ndikim negativ”, thotë Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank. Po si do të reagojnë bankat. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive (një zhvillim i tillë po ndodh aktualisht në Europë). Së treti, muajt e fundit bankat kanë filluar të njoftojnë klientën për rritjen apo vendosjen e komisioneve për shërbime të ndryshme.

Artikulli paraprakJa kush janë dhjetë futbollistët më të paguar në botë
Artikulli tjetërShqipëria, destinacioni i fundit në rajon për investitorët gjermanë