Ulet kërkesa e bankave për bonot e thesarit

Interesi i bonove të thesarit me maturim 12-mujor shënoi një rritje të shpejtë në ankandin e djeshëm me 0.21 pikë përqindjeje në krahasim me ankandin e datës 20 shtator. Interesi arriti në 1.83% nga 1.62% që ishte në ankandin paraardhës, ritmi më i lartë i rritjes të paktën gjatë këtij viti. Por teksa rritja e interesave të letrave me vlerë të qeverisë po shkon në drejtimin e kundërt të politikës monetare, disa arsye qëndrojnë në sfond.
E para dhe kryesorja lidhet me ofertën e ulët që bankat patën në ankandin e fundit për blerjen e letrave me vlerë të qeverisë. Teksa qeveria kërkoi 6.6 miliardë lekë për financim e borxhit,  bankat tregtare në vend ofruan vetë  5,9 miliardë lekë, duke bërë që interesi të rritej me shpejtësi. Ekspertë të sektorit bankar shpjegojnë se, interesi në rritje i bonove reflekton edhe një perceptim për rritjen e riskut. Ditë më parë, Banka e Shqipërisë në deklaratën e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë pohoi se, bankat tregtare kishin rritur perceptimin negativ për pritshmëritë në ekonominë e vendit.
Oferta në ulje e bankave për bono thesari është përballë një plani të qeverisë për të rritur financimin e borxhit nga tregu i brendshëm. Referuar skenarit bazë për administrimin e borxhit, financimi i brendshëm për periudhën 2016-2018 do të jetë në nivelin e 90-92% të totalit të financimit, ndërkohë që financimi nëpërmjet titujve afatgjatë do të synojë të rritet deri në 30-32% në vitin 2018, nga 17% që vlerësohet në vitin 2015.
Bankierët pohojnë se është shtimi i riskut të perceptuar të bankave për ekonominë ai që ka mbizotëruar, duke e bërë praktikisht të “pavlefshme” uljen e normës bazë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Pak ditë më parë të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se po rriten dhe interesat e kredisë. Pasi arriti në nivelin më të ulët rekord prej 6% në prill, norma e interesit të huasë është rritur vazhdimisht në muajt në vijim, duke arritur në gati 8% në gusht, niveli më i lartë në gati një vit. Rritja e interesave është tërësisht në linjë të kundërt me sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë, që gjatë këtij viti ka ulur edhe dy herë normën bazë në prill dhe maj në dy mbledhje radhazi, gjë që rrallë ka ndodhur vitet e fundit, duke e çuar aktualisht në 1.25%, nga 1.75% që ishte në fillim të këtij viti. Edhe huaja për ekonominë është futur në ngërç prej gati dy vitesh, duke i bërë pothuajse të pavlefshme përpjekjet e Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në nivele minimale historike.

Artikulli paraprakJa kalojmë edhe Rusisë për numrin e koncesioneve
Artikulli tjetërBSH mban të pandryshuar normën e interesit