UEFA analizon Shqipërinë

Faqja zyrtare e UEFA-s i kushton Shqipërisë një shkrim të detajuar, të bazuar në dy ndeshjet miqësore të kuqezinjve kundër Austrisë dhe Luksemburgut. Në fillim të shkrimit, UEFA i kushton një hapësirë të madhe ndeshjes me Austrinë në “Ernst Happel Stadium” dhe më pas përqendrohet te transferta e Luksemburgut ku Shqipëria triumfoi 2-0. UEFA veçon faktin që stadiumi “Josy Barthel” u pushtua nga rreth 3 mijë tifozë kuqezi, të cilët mbështetën Shqipërinë gjatë gjithë 90 minutëshit.

Në vijim, analiza përqendrohet te fakti që në të dyja miqësoret, Shqipëria u zhbllokua në pjesën e tretë të dy ndeshjeve, ndërsa shton se formacioni që De Biasi ka në kokë për Europianin nuk është ende i qartë. Sipas UEFA-s, përveç Etrit Berishës që e ka vendin të sigurt në katërkëndësh, pjesa tjetër janë në pikëpyetje dhe këtë e treguan 2 miqësoret, ku trajneri italian zgjodhi dy formacione të ndryshme, duke mos dhënë pika referimi.

“Në të dyja takimet, Shqipëria e përmirësoi lojën në pjesën e dytë me 3 gola të shënuar në total”. Një nga pikëpyetjet më të mëdha që UEFA ngre është edhe ajo që lidhet me Milot Rashicën. “Pas debutimit që playmeakeri i Vitesses bëri të martën, a do të jetë ai një emër i së ardhmes rreth të cilit do të ndërtohet ekipi?

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh gjatë kësaj vere, është e sigurt se do të ndodhë në të ardhmen”, nënvizon UEFA që shton se në repartin e avancuar, Cikalleshi duket se është preferenca kryesore pas 90 minutave të luajtura në Luksemburg. Një pyetje UEFA e ngre edhe për repartin e mbrojtjes, duke u bazuar në dy golat e pësuar në Austri. “Shqipëria duket e brishtë, kur skuadra kundërshtare e vendos nën presion. Kontrolli i topit është një problem për këtë skuadër që mesatarisht gjatë eliminatoreve e ka pasur kontrollin e lojës në masën 45%. Pasimet në total janë 1886, më pak se çdo finalist, por kjo edhe për faktin se, Shqipëria bënte pjesë në një grup me 5 skuadra”, vë në dukje UEFA.

 

De Biasi drejt Italisë

Gianni de Biasi braktis Shqipërinë në prag të Europianit të “Francë 2016”. Mediat italiane kanë publikuar disa foto të një takimi sekret të trajnerit me drejtues të Federatës Italiane të Futbollit, pranë zyrave të institucionit. Në fakt emri i De Biasit prej kohësh përflitej si pasuesi i Antonio Contes te të Kaltërit, por tashmë gjithçka është konfirmuar dhe pritet vetëm zyrtarizimi, që po sipas mediave të vendit fqinj, do të ndodhë në pasditen e sotme.

Ky lajm është një goditje e madhe për Kombëtaren Shqiptare, që pas kualifikimit historik në Europian, tashmë duhet të mendojë urgjentisht për pasuesin e 59-vjeçarit. Emrat që mendon Federata Shqiptare janë ato të Besnik Hasit, i cili është drejt largimit nga Anderlecht si dhe ai i Igli Tares, Drejtor Sportiv te Lazio. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i disa prej lojëtarëve të Kombëtares Kuqezi, të cilët janë shokuar nga ky lajm, duke mos e kuptuar arsyen e këtij vendimi nga ana e De Biasit.

Artikulli paraprakFitore ndaj Empolit
Artikulli tjetërRinasi, miliona euro shtesë për klauzolën e monopolit