U prehsh në paqe miku, Ylli Xhaferri

Myqerem TAFAJ

Covid-19 na rëmbeu sot edhe mikun tonë të shtrenjtë, mësuesin dhe drejtuesin e përkushtuar Ylli Xhaferri!
Ylli ishte jo thjesht një mësues i gjuhës dhe letërsisë, por një njeri që jetonte cdo cast me letërsi dhe shkruajti deri në ditët e fundit para ndarjes nga jeta.

Një intelektual i ditur dhe fjalëmirë, gjithmonë pozitiv dhe i qeshur, me shumë miq dhe shokë në gjithë Shqipërinë. Pas studimeve universitare ai filloi punë si mësues në fshatrat e thella të Kukësit, ku jo vetëm pa me sy varfërinë e skajshme, por provoi edhe represionin e diktaturës kur i arrestuan shokun e tij të ngushtë Visar Zhitin. Sic tregonte ai, për shumë kohë punoi si mësues në Kalis, por me frikën e represionit ditë e natë.
Puna si mësues i ri në zona kaq të varfëra i dha Yllit një pjekuri dhe i ushqeu atij pasionin dhe mjeshtrinë e përçimit të dijes edhe në zonat më të varfëra dhe tek nxënësit e familjeve shumë të varfëra. Prandaj Ylli ishte një mèsues dhe drejtues me aftèsi të shkëlqyera jo vetem pedagogjike, por edhe sociale.

Ai mësoi nxënësit me të njëjtin pasion deri në ditët e fundit para ndarjes nga jeta. Vitet e fundit ai përjetoi një dhimbje të madhe, por kurrë nuk e dha veten. Ai vazhdoi të shkruante libra edhe për të përballuar dhimbjen e madhe.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Yllit èshtë një humbje dhe dhimbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për ne miqtë e tij. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të Yllit dhe ndaj dhimbjen me juve! U prehsh në paqe miku i mirë Ylli Xhaferri! Lamtumirë!

Artikulli paraprakEmergjenca e koronavirusit/ Prishtina propozon që hotelet të kthehen në spitale
Artikulli tjetërShkencëtari që zbuloi vaksinën kundër Covid-19 tregon se kur do të përfundojë pandemia