Turqia kërkon mbështetjen e Rusisë kundër terrorizmit

A është vetëm një shfaqje e përkushtimit apo një vetëbesim – ose dëshpërim?
Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha të hënën në Stamboll se Turqia mund “të hapë bazën ajrore në Incilrik” për Rusinë “sikur kemi bërë edhe për të gjithë të tjerët që aktivisht po i luftojnë” grupin ekstremist të Shtetit Islamik.
“Ne bashkëpunojmë me secilin që lufton kundër ISIS-it, pse të mos punojmë së bashku me Rusinë?”
Ai u citua gjerësisht pothuaj nga të gjitha mediat, duke thënë se Turqia do të shkojë aq larg sa të hapë bazën ajrore të Incirlik-ut për Rusinë për këtë qëllim. Mesa duket shkoi shumë larg. Rusët reaguan me kënaqësi dhe kundërshtarët në Ankara (mbase edhe në Perëndim) u mbyllën.
A shkoi ai më larg se ç’duhej? Raportimet u hoqën së shpejti nga interneti.
Cavusoglu shumë shpejt mohoi se Turqia po hap bazën e saj për përdorimin rus.
“Nuk fola për Incirlik-un”, tha ai. “Ritheksova atë që Presidenti ynë tha dhe kjo është se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Rusinë në luftën kundër terrorit”.
Qëkur Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, bëri marrëveshje të papritur për normalizim dhe përmirësim të marrëdhënieve me Izraelin dhe Rusinë, në pothuaj 10 ditët e fundit, kritikët nga e djathta dhe e majta, filluan ta sulmojnë.
“Çfarë ndryshoi që po e bën këtë kthim?”.
“Vëllezërit e djeshëm xhihadistë po shndërrohen në terroristët e sotëm”.
“E shite Gazën për të bashkëpunuar me Izralelin”.
Por, kjo si duket nuk e shqetësoi Erdoganin shumë.
“Asnjëherë nuk e lëshuam rrugën tonë”, i siguroi ai mbështetësit.
“Po korrigjojmë atë që eci gabimisht në marrëdhëniet tona me Rusinë dhe Izraelin për shkak të tensioneve artificiale”, tha Erdogan.
Madje tolerimi i Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, të paktën për një periudhë tranzicioni, nuk është përjashtuar, thonë mediat turke.
Por, çdo qytetar turk, që nuk është pjesë e një ideologjie ose i anshëm, do të thoshte “harroj për një moment të gjitha ato armiqësi brenda dhe jashtë Turqisë, pse jo?
Për afro 32 vjet, Turqia ka paguar një çmim shumë të lartë dhe me gjak të terrorit të Partisë së Kurdëve pa e adresuar, të jemi të sinqertë, burimin e së keqes. ISIS-i, në anën tjetër, është një sëmundje që u bë një kolerë e përhapur së shpejti, e cila pasoi rënien e lehtë ose kalkulimin e gabuar të rrëzimit të regjimeve diktatoriale të Lindjes së Mesme që u zëvendësuan me grupet ekstremiste dhe fondamentaliste.
Në fillim të dekadës, mbështetësi i islamizmit Erdogan, ishte shumë entuziast për Pranverën Arabe dhe filloi mbështetjen e tij për ato grupe në Sirinë dhe Irakun fqinjë dhe madje edhe në Egjipt, në pritje që së shpejti numri i regjimeve të tilla të mund të zëvendësohet me ato të një mendimi.
Nuk u materializua dhe shumë shpejt, “vëllezërit” e tij në Islam, shumica prej tyre ekstremistë dhe të dhunshëm në mendje dhe veprime, filluan ta kafshojnë Turqinë, gjithashtu.
Ahmet Usta, një marangoz nga Aksehir, që jeton tani në Ankara dhe një votues konservator, jep shpjegimin përmes një proverbi turk: “Kudo që ta ndërpresësh humbjen është një fitore”.
Një avokat i pensionuar dhe një kundërshtar i fortë i Erdoganit, tha se “jemi të shqetësuar për ekzistencën dhe tërësinë territoriale të këtij vendi të bukur dhe tani jemi shumë të shqetësuar për jetët e më të dashurve tanë dhe qytetarëve të Turqisë”.
“Erdogani dhe Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit në Turqi mund të jenë fajtore për shumë gabime”, thotë Arper, një specialist në fushën e teknologjisë. “Këto janë kohë të rënda për Turqinë. Ndryshime të thella janë të domosdoshme dhe ato më së miri bëhen nga ata që i kanë përzier gjërat kaq shumë – dhe gjithashtu bënë më të mirën, sinqerisht, në të paktën 10 vitet e fundit në ekonomi dhe në shërbimet sociale”.

Artikulli paraprakRinovimi i Kupolës së Kapitolit
Artikulli tjetërNisin procedurat për zëvendësimin e Cameron