Trump surprizon republikanët, kompromis me demokratët

Republikanët në Kongres po reagojnë me pakënaqësi pasi Presidenti Donald Trump i zuri në befasi udhëheqësit e tyre, duke rënë dakord me demokratët për një zgjatje tre muaj të afatit të tavanit të borxhit, gjë që e vendos partinë e tij në pozitë të vështirë vetëm pak më shumë se një vit para zgjedhjeve të Kongresit.
Reagimi i republikanëve ndaj marrëveshjes u shndërrua nga habi në zemërim dhe më pas në një mbështetje hezituese për një pakt për të cilin ata mendojnë se përfitojnë demokratët.
“Është një tradhtim i çdo gjëje që ne jemi përpjekur të bëjmë si republikanë prej vitesh”, tha ish-senatori republikan, Jim DeMint në një intervistë me gazetën “Politico”.
Anëtari i Kongresit, Mark Meadows përdori një ton më të matur. Ai tha se Presidenti Trump i kishte thënë se e kishte bërë marrëveshjen që të mund të përqendrohej tek reforma e taksave.
Marrëveshja i vuri në pozitë të vështirë udhëheqësit republikanë, përfshirë kreun e shumicës në Senat, Mitch McConnell dhe kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Vetëm disa orë para shtyrjes së afatit për tavanin e borxhit, zoti Ryan e kishte quajtur “qesharake” idenë e kësaj shtyrjeje.
Por shumë përkrahës të zotit Trump e përshëndetën këtë lëvizje. Ish-guvernatori i Arkansas, Mike Huckabee, e quajti marrëveshjen, një hap të mprehtë që sipas tij kishte si synim të ushtronte presion ndaj partisë së tij për të siguruar fitore legjislative që votuesit kishin kërkuar kur u dhanë republikanëve kontrollin e dy dhomave të Kongresit.
Demokratët ishin të entuziazmuar me marrëveshjen. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer e quajti një “hap pozitiv përpara” që do të shmangte skadimin e borxhit dhe do të siguronte miratimin e shpejtë të fondeve për viktimat e uraganit në Teksas dhe Luiziana.

Artikulli paraprakTë ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike
Artikulli tjetërTraseja e gazsjellësit kushton 618 milionë euro