Trump sulmon Hillaryn: Mashtruese nuk ka asnjë shans

Në SHBA, kandidati republikan për president Donald Trump, që shpreson të marrë emërimin  e partisë së tij po e kthen vëmendjen dhe retorikën drejt kryesueses së garës demokrate, Hillary Clinton, pas fitoreve të rëndësishme që ata të dy arritën në Nju Jork këtë javë.
Zoti Trump bëri dje fushatë në Merilend, një nga pesë shtetet që zhvillojnë zgjedhjet paraprake të martën e ardhshme.
“Mashtruesja Hillary Clinton nuk ka asnjë shans. Ajo nuk do të kthejë vendet e punës. Ajo merr vendime të gabuara. E dini se çfarë ka thënë Bernie Sanders për të dy herë. Pikë së pari, ajo nuk është e kualifikuar, goditje e rëndë. Por ai shtoi se, ajo ka një gjykim të gabuar. Ne do ta mposhtim atë keqazi”.
Por zotit Trump i duhet së pari të sigurojë emërimin, për të cilin sfidohet nga senatori Ted Cruz dhe guvernatori i Ohajos, John Kasich, që radhiten pas tij për nga numri i delegatëve dhe mund të duan ta prishin kurorëzimin e tij si kandidat përpara kuvendit të partisë në korrik.
Ndërkohë, Hillary Clinton bëri fushatë të mërkurën në Pensilvani, ku u përmbajt të përmendte Trumpin me emër, por iu referua rivalit të tij, Ted Cruz, i cili ashtu si Trump ka mbajtur një qëndrim të debatueshëm ndaj myslimanëve.
Zoti Trump kërkon të ndalojë përkohësisht myslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidati Cruz kërkon kontrolle të posaçme në komunitetet myslimane amerikane.
“Kjo është e rrezikshme. Kjo nuk është një retorikë e lirë dhe e drejtë. Ted Cruz flet për etiketimin e amerikanëve myslimanë dhe patrullimet speciale të policisë në lagjet myslimane”.
Rruga e zonjës Clinton për të marrë emërimin demokrat në korrik duket gjithnjë e më e sigurtë, dhe do ta bënte atë të parë grua që fiton emërimin si kandidate për presidente në historinë amerikane.
Zoti Trump ka të ngjarë të përballet me më shumë rezistencë për të siguruar emërimin republikan nëse nuk siguron numrin e kërkuar të delegatëve para kuvendit të partisë.

Artikulli paraprak100 milionë euro nga bankat tek obligacionet
Artikulli tjetërRonaldo drejt rinovimit me Realin