Trump shprehet optimist për takimin me Kim Jong Un

Presidenti amerikan Donald Trump po parashikon marrëdhënie të mira me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në takimin e tyre këtë javë në Vietnam, ndërsa Shtëpia e Bardhë shprehet se synimi kryesor i bisedimeve është çarmatimi bërthamor i Koresë së Veriut.
“Ne kemi pajtueshmëri, gjë që do ta shihni gjithnjë e më shmë gjatë ditëve në vijim”, tha zoti Trump të dielën. “Do të kemi një takim shumë interesant dy ditor në Vietnam”, u shpreh presidenti gjatë takaimit me një grup grup guvernatorësh të shteteve amerikane në Shtëpinë e Bardhë. “Kemi një shans për çarmatim të plotë bërthamor të një pjese të botës që ishte shumë e rrezikshme.”
Dy udhëheqësit u takuan qershorin e kalur, ku më pas zoti Trump deklaroi se “nuk ka më një kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”. Por, ndërsa ai takohet të mërkurën dhe të enjten me udhëheqësin Kim në Hanoi, kryeqyteti i Vietnamit, ka pak prova konkrete se është bërë përparim për kushtet specifike lidhur me çarmatimin e premtuar bërthamor të Koresë së Veriut.
Kur u pyet se cili do ishte përkufizimi i çarmatimit, një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Trump nuk pranoi të diskutonte këto detaje duke theksuar bisedimet në vazhdim.
“Jemi në mes të negociatave me Korenë e Veriut dhe nuk jam i gatshëm të flas për qëndrimin e tyre ndërsa jemi ende duke negociuar. Mjafton të them se ne po diskutojmë për këtë dhe për shumë çështje të tjera këtë javë”,tha zyrtari i lartë.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha për rrjetin televiziv CNN të dielën se “nuk ka ndryshime” në sanksionet ekonomike amerikane ndaj Koresë së Veriut derisa ky vend të pajtohet me “çarmatimin bërthamor plotësisht të verifikueshëm”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë “garanci në fushën e sigurisë” që Koreja e Veriut të mbijetojë si një shtet i pavarur, që “Koreja e Veriut të bëhet si Koreja e Jugut”, një fuqi ekonomike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Koresë së Veriut një alternativë, që ky vend të mos kthehet “në një shtet të izoluar në arenën ndërkombëtare”.
Por kryediplomati amerikan e pranoi se duhet shumë punë për arritjen e një marrëveshje, se si dhe kur Pheniani do të shkatërrojë arsenalin e tij bërthamor.
“Një hap i verifikueshëm (drejt çarmatosjes) është gjëja kryesore ku është përqendruar Presidenti Trump”, tha zoti Pompeo. Ai shtoi se zyrtarët amerikanë janë të vetëdijshëm për historinë e Koresë së Veriut, që gjatë dekadave, ka bërë premtime për çarmatosjen dhe pastaj nuk i ka respektuar marrëveshjet.
Presidenti Trump niset të hënën për në Hanoi ndërsa udhëheqësi Kim po udhëton tashmë me një tren të blinduar drejt Vietnamit.
Media shtetërore e Koresë së Veriut fotografoi udhëheqësin Kim duke hypur në tren duke njoftuar se ai po shkonte drejt Vietnamit për takimin me presidetin amerikan për herë të dytë. Kjo është hera e parë që media shtetërore koreanoveriore njofton për takimin.

Fuqia Ekonomike
Në muajt e hershëm të presidencës së tij, zoti Trump tha se do t’u përgjigjej me “zjarr dhe forcë të paparë ndonjëherë në botë” kërcënimeve të Koresë së Veriut kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Por të dielën, zoti Trump përmes një postimi në Twitter u shpreh për “Marrëdhënie të mira me kryetarin Kim!”
Udhëheqësi amerikan tha se kryetari Kim “e kupton, ndoshta më mirë se askush tjetër, se pa armë bërthamore, vendi i tij mund të bëhet shpejt një nga fuqitë më të mëdha ekonomike në botë. Për shkak të vendndodhjes, njerëzve (dhe vetë atij), ky vend ka më shumë mundësi për rritje të shpejtë se sa asnjë shtet tjetër.”
Presidenti Trump tha se Presideni kinez Xi Jinping “ka qënë shumë i dobishëm duke mbështetur takimin e tim me Kim Jong Un-in. Gjëja e fundit që Kina do të dëshironte, do të ishte një vend fqinj me armë të shumta bërthamore. Sanksionet e vëna nga Kina dhe Rusia kanë qënë shumë të dobishme.”
Zyrtarët amerikanë të zbulimit dyshojnë se Koreja e Veriut synon të mbajë premtimet e bëra në Singapor nga kryetari Kim për çarmatimin bërthamor.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats i tha një komisioni të Kongresit amerikan muajin e kaluar se Koreja e Veriut “ka ndërprerë qëndrimet provokuese” duke mos zhvilluar prova me raketa dhe bërthamore prej më shumë se një viti. “Po ashtu, Kim Jong Un vazhdon të demostrojë se është i hapur ndaj çarmatimit të gadishullit Korean”, tha zoti Coats.
Por pavarësisht nërprerjes së provave, tha zoti Coasts, “aktualisht vlerësimi ynë është se Koreja e Veriut do të kërkojë të ruajë aftësitë e saj (me armë të shkatërrimit në masë) dhe se nuk ka gjasa të heqë dorë plotësisht nga armët bërthamore dhe aftësia për t’i prodhuar ato”.
“Vlerësimi ynë përforcohet nga vëzhgimet për disa aktivitete që bien ndesh me çarmatimin bërthamor”, shtoi ai. Zoti Coats tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut dhe pjesa tjetër sunduese e vendit “i konsiderojnë armët bërthamore si kritike për mbijetesën e regjimit”.

Artikulli paraprakPence: SHBA mbështet 100 për qind Juan Guaidon
Artikulli tjetërDo mblidhen si minjtë fshehtas në një Parlament ilegjitim, turpi i një frikacaku në ikje