Trump, mbështetje të plotë Porto Rikos

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se ishujt amerikanë të shkatërruar nga uragani Maria po marrin ndihmë masive. Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, Presidenti Trump tha se administrata e tij po bën gjithçka është e mundur për të ndihmuar viktimat e stuhive dhe hodhi poshtë zërat se ai kishte humbur përqendrimin nga grindjet me lojtarët e ekipeve të futbollit amerikan që kanë protestuar gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar para fillimit të ndeshjeve. Presidenti planifikon të vizitojë Porto Rikon dhe Ishujt e Virgjër javën e ardhshme për të inspektuar operacionet e ndihmave në këto rajone.
Uragani Maria e ka lënë Porto Rikon pa energji, ujë të pastër dhe aftësi komunikimi. Ishullit i kanë mbaruar furnizimet me ushqim, karburant dhe ilaçe në një kohë kur spitalet janë të mbushura me njerëz si asnjëherë më parë.
“Nuk e di nëse keni qenë në të gjithë vendin, por kjo është diçka e pabesueshme, krizë në mbarë vendin”, thotë Dr. Victor Grillo, mjek në spitalin e Lozias.
Disa njerëz kanë pritur në aeroportin e San Juan-it që nga java e kaluar për një fluturim jashtë ishullit, duke përfshirë edhe këtë grua që ka nevojë për insulinë.
“Këtu nuk ka akull, nuk ka asgjë për të më ndihmuar që ta mbaj insulinën në një vend të sigurt”, thotë Susana Garner, banore e Porto Rikos.
Presidenti Trump të martën u përpoq t’u kundërvihej kritikëve, të cilët thanë se administrata e tij ka lënë pas dore territoret amerikane të goditura nga stuhia.
“Në çdo orë po dërgojmë sasi masive furnizimesh me ujë dhe ushqime në Porto Riko. Kjo nuk është një situatë e ngjashme me atë në Florida ose në Teksas, ku ne mund të shkojmë dhe të shpërndajmë ndihma në terren. Ju e dini këtë, ne jemi në mes Oqeanin Atlantik. Është e vështirë”.
Presidenti të martën u takua edhe me zyrtarë të emergjencave, të cilët më vonë u thanë gazetarëve se flotilje me furnizime dhe personel janë dërguar në ishull për të trajtuar krizën humanitare në rritje.
“Mijëra punonjës federalë nga FEMA, Departamenti i Mbrojtjes dhe agjencitë e tjera federale janë në Porto Riko dhe në Ishujt e Virgjër të Shteteve të Bashkuara duke mbështetur guvernatorët e tyre në operacionet për rimëkëmbjen nga kriza”, tha Elaine Duke, zyrtare e Departamentit të Sigurisë.
Guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rosello gjithashtu mbrojti Presidentin Trump, ndërsa po vizitonte një qendër të prodhimit të gazit pranë portit të San Juan-it. Ai tha se kishte folur me presidentin dhe ishte siguruar se ai ishte i angazhuar për të ndihmuar ishullin.
“Unë jam i bindur se ai është i shqetësuar nga situata këtu dhe presim plotësisht mbështetjen e tij. Ai ma ka bërë të qartë këtë, kështu që përsëri unë dëshiroj ta falënderoj atë për veprimin e shpejtë në trajtimin e disa prej këtyre përpjekjeve”.
Ndërsa portet dhe aeroportet e Porto Rikos po rikthehen në funksion me kapacitet për të pranuar më shumë anije mallrash dhe aeroplanë, shpërndarja e ndihmës pritet të përshpejtohet.
Por rreziku nga uragani Maria ende nuk është larguar. Stuhia po lëviz në veri, përgjatë brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje në Karolinën e Veriut dhe duke detyruar evakuimet nga disa zona bregdetare.

Artikulli paraprakOlsi Rama në makinën e transportit të kokainës AA 635 DM, Ruçi i ndërpret fjalën Berishës
Artikulli tjetërTrump, ulje historike taksash, do t’i shtojë arkës 2.2 trilionë dollarë