Trump, marrëdhënie të mira me Pakistanin

Pakistani njofton se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i ka ofruar ndihmë këtij vendi, ndërsa kryeministrin pakistanez e ka quajtur “njeri i mrekullueshëm”, gjatë bisedës së parë telefonike në mes të dy zyrtarëve.
Zyra e kryeministrit pakistanez, Nawaz Sharif ka thënë mbrëmë vonë se lideri pakistanez e ka telefonuar Trump për t’ia uruar fitoren në zgjedhje.
Njoftimi thotë se presidenti i zgjedhur amerikan e ka pranuar ftesën për ta vizituar Pakistanin duke thënë se ai do “t’i pëlqente të shkonte te ky shtet i shkëlqyeshëm, një vend i shkëlqyeshëm me njerëz të shkëlqyeshëm”.
Ekipi i Trump gjithashtu ka njoftuar për bisedën telefonike duke thënë se të dy zyrtarët e kanë zhvilluar “një bisedë produktive rreth asaj se si Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani do të kenë marrëdhënie të fuqishme pune në të ardhmen”.
Shteti i Pakistanit mbështetet shumë në ndihmat amerikane.
Megjithatë, marrëdhëniet në mes të dy vendeve kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit pas akuzave amerikane se Pakistani strehon militantë islamistë, një akuzë kjo që Islamabadi e ka hedhur poshtë.

Artikulli paraprakErdogan: BE të mbajë premtimet
Artikulli tjetërPerëndimi është bashkëfajtor në Aleppo