Trump ka gjithnjë të drejtë, shpejt do të merrni vesh

Andrea PASINI

“Ndeshja përfundoi”. Kambanëza ra dhe në ring nuk ka shpëtim për askënd. Donald J. Trump ka vendosur të zërë vend në fron dhe Europa bën sehir në dritare. Drejtpërsëdrejti nga Albioni besëthyes, nëpërmjet “Times”-it, dhe drejtpërsëdrejti nga toka teutonike, nëpërmjet “Bild”-it, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka përditësuar agjendën e tij për temat më përvëluese të këtyre orëve. Flasim për Brexit, kufij, BE, emigracion, Lindje e Mesme, NATO dhe Iran. Janë goditje shpërthyese ato që gufojnë nga kordat zanore të biondit të Nju Jorkut. Janë të drejtpërdrejta, ballore, anësore, të shpejta dhe qëllojnë në shenjë deri sa përgjakin. Te qenët politikisht korrekt përfundon në koshin e mbeturinave, koha e Barack Obama-s merr fund. Birit të Çikagos i duhet të abdikojë. Për pemët e tij të Vitit të Ri, për kopshtet e tij të perimeve, për Obamacare-in e tij, për shfaqjet e tij gjinore dhe fodullëkun e tij nuk do të na marrë malli. Presim risinë dhe prova gjenerale mban aromë kthese. “Telashi i madh i luftës moderne është që nuk i jep askujt mundësinë të vrasë njerëzit e duhur”. Gjykimi romantik e i thellë i Ezra Pound-it, poet i iluminuar, në kuptimin e të bekuarit nga Zoti, na shpie në brendësi të një fushëbeteje ku më në fund e dimë kush janë të mirët dhe kush janë të këqijtë. Zgjodhëm dhe tani dalim në rrugë duke e thënë me të bërtitur.
“La Stampa”, nga zyrat e saj në Torino, i ka përmbledhur në 10 pika lëvizjet bazë të Trump-it. Kjo nga sa ka dalë prej përvojës së tij të parë me mediat europiane. Shumë komentatorë kanë mbetur të çmeritur nga fakti që republikani nuk paskësh ndërruar regjistër. Flasim për një burrë që ka deklaruar: “Dëgjoni, unë nuk jam politikan, nuk dal andej-këndej të them ‘do bëj atë dhe do bëj atë’. Po u dëftuan kartat para se të luash, atëherë ç’kuptim la loja?”. Dhe përfituesit e komunikimit janë në krizë. Kacavirren nëpër pasqyrat, kanë para tyre të pakorruptueshmin, arsyen që nga katedra e shpie përsëri tufën në vathë. Bëhet e vështirë ta kuptojë ndryshimin për atë që është mësuar të jetojë në një botë të bërë prej fjalësh. Meritokraci, misione paqeje, çmime Nobel, brez i ri, e ardhme dhe rinovim. Fjalë që janë bërë sinonim i ferrit, të këtyre viteve. Terma të zbrazur, të shndërruar në paralajmërime kobzeza të rrënimit. Por tani ndryshon gjithçka. Trump-i nuk është politikan, por sipërmarrës që ka vendosur, nga dashuria për atdheun, të hidhet në përleshje, sepse kur gjithçka përreth nesh shembet, kemi nevojë për shembuj që shembja të mos na zërë brenda.
“Mendoj që referendumi i propozuar nga Mbretëria e Bashkuar për daljen nga Bashkimi Europian do të shpërfaqë, më në fund, një gjë të madhe. Njerëzit i japin rëndësi identitetit të vet dhe, po të më pyesni mua, ju them: edhe vende të tjera do të dalin nga BE”. E para goditje me shigjetë mbi Brexit-in. Theresa May ka një aleat të ri, drejtpërsëdrejti nga Uashingtoni. Çdo popull duhet të zgjedhë, në mënyrë të lirë e sovrane, të ardhmen e vet. Jemi të lodhur nga zinxhirët që na imponon Brukseli. Valëvitja e flamurit me yje e shirita flet për liri, si në filmat Western të Clint Eastwood-it. I miri, i shëmtuari dhe i keqi. Po vijmë: “Hapni rrugë të kalojmë ne”. Revoltën e masave, të njerëzve të zakonshëm, të atyre që luftojmë, e kemi para hundëve. Prandaj fjalët kundër Presidentit gjerman gjëmojnë si kryengritje: “Për çështjen e emigracionit unë nuk dua të bëj si Gjermania. Kam shumë respekt për Merkel-in, por mendoj se ajo çfarë ka bërë ka qenë një fatkeqësi, një gabim katastrofik. Unë e dua Gjermaninë, sepse im atë vjen nga Gjermania, por nuk dua të ndodhem në një situatë të tillë. Sipas pikëpamjes sime, kemi mjaft probleme”. Në depon e rrangullinave edhe problematikën emigracion.
NATO-ja? Goditjet e dhëna më mirë, më të forta e më të përpikta, vijnë kundër Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Karrocë cirku që e ka bërë Italinë parazite, dhe vazhdon ta bëjë, duke na shndërruar në ameba pa shtyllë kurrizore. “NATO-ja ka probleme. Është e vjetëruar, pikësëpari ngaqë, siç e dini, ka lindur shumë vite të shkuara. Së dyti, sepse vendet anëtare nuk paguajnë atë çfarë do të duhej të paguanin. Por sidomos është vjetëruar, sepse nuk ka ditur të merret me terrorizmin. Megjithëkëtë për mua NATO-ja mbetet shumë e rëndësishme”. Në heshtje, me stil dhe klas, mbërrijnë sentenca të pashmangshme. E majta, e përbërë prej “shpirtrash të bukur” të kohës së Schiller-it që rimojnë me emigracionin e shfrenuar, shkul leshrat e kresë, duke klithur për atentat kundër demokracisë. Na vjen keq për ju, mblidhni armë e bagazhe, jeni të tepërt.
Goditja e fundit në mish me majë të shpatës është kundër opinionit publik. Në këta muaj u luajt një kundër të gjithëve, tani do të duhet ndërruar regjistri, dhe nuk do të jetë e lehtë. “Shtypi sillet me mua në mënyrë të pandershme, madje në mënyrë aq të pandershme sa unë pëlqej më mirë të dal drejtpërsëdrejti në Twitter. Dhe jo vetëm me 140 shkronja, mund të jenë edhe 280, mjafton të bësh një status tjetër. Bëj bing, bing, bing dhe çaj përpara, dhe gjithçka del dhe rimerret ashtu siç e kam twituar. Sot në mëngjes dëgjova në “Fox”: ‘Donald Trump, ja lajmet e fundit’!”. Të nesërmen e votimit të Shteteve të Bashkuara, në kanalet e Rai-t, Giovanna Botteri-t i shpëtoi një pyetje lakonike: “Çfarë do të ndodhë kur, me sa shihet, shtypi nuk ka më fuqi dhe nuk ka më peshë në këtë shoqëri amerikane?”. Koha e shpëlarjes së trurit mbaroi. Njerëzit ëndërrojnë të bëjnë copash zgjedhën që i mban të mbërthyer përtokë. Duan ta fluturojnë në qiell, pa peshën e mediave dhe të politikës së shtirë të këtij shekulli. Trump-i është zgjidhja. Dhe ditë më ditë, deklaratë mbas deklarate, na bën për vete gjithnjë më shumë një figurë që ka vendosur të kthejë mbrapsht polet e planetit.

Në shqip për lexues shqiptarë, Aurel Plasari, fb.

Artikulli paraprakQosja rikthehet te opsioni i Dobrica Qosiç për Kosovën?!
Artikulli tjetërVdes në spital 22-vjeçari nga shpërthimi i granatës