Trump i vendos Kinës, 550 miliardë dollarë taksa dhe tarifa, monedha kineze në humnerë

Renminbi i Kinës shënoi nivelin e tij më të ulët të këtyre 11 viteve të fundit dhe tregjet e aksioneve në Azi humbën shumë pikë si pasojë e përshkallëzimit të tensioneve tregtare midis SHBA-së dhe Kinës gjatë fundjavës që sapo lamë pas. Renminbi është dobësuar me 3.8 për qind gjatë gusht, njëkohësisht edhe niveli i tij më i ulët që prej shkurtit të 2008, menjëherë pas deklaratës së

Presidentit amerikan bërë nga Shtëpia e Bardhë se ai duhet të kishte vendosur tarifa akoma edhe më të larta se këto që kishte vendosur aktualiasht.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne, renminbi onshore, i cili tregtohet me lirshëm, ra me 0.7 për qind kundrejt dollarit amerikan dhe u këmbye me 7.1858 rmb për dollarë amerikanë, duke shënuar kështu rekordin e tij të ri më të ulët.

Tregjet e aksioneve pësuan gjithashtu një goditje gjatë fundjavës që lamë pas. Kështu, indeksi i aksioneve kineze CSI 300 dhe indeksi i aksioneve të Shangait ranë me 1.2 për qind. Indeksi i aksioneve Topix të Japonisë ra me mbi 1.7 për qind. Indeksi i Koresë së Jugut, Kospi, ra me 1.5 për qind. Indeksi i aksioneve australiane S&P/ASX 200 ra me 1.4 për qind.

Indeksi i aksioneve të Hong Kongut, Hang Seng, HSI, ra me më shumë se 3 për qind si pasojë e tensioneve tregtare SHBA-Kinë dhe pas protestave të dhunshme anti-qeveritare të cilat shpërthyen gjatë fundjavës që lamë pas.

Ky reagim nga ana e tregjeve aziatike erdhi menjëherë pasi Pekini njoftoi të Premten e kaluar se do të vendoste tarifa të reja midis 5 dhe 10 për qind mbi 75 miliardë dollarë të importeve të SHBA-së, duke filluar nga muaji shtator i këtij viti. Në kundërpërgjigje të një vendimi të tillë, Presidenti amerikan Trump i ngriti tarifat mbi 250 miliardë dollarë të importeve kineze nga 25 për qind në 30 për qind dhe rriti taksat mbi 300 miliardë dollarë të mallrave kineze të vendosura të fillonin të zbatoheshin nga 1 shtatori i këtij viti nga 10 për qind në 15 për qind.

Përballë një situate të tillë alarmante, zëvendëskryeministri kinez, Liu He, u përpoq ta qetësojë disi situatën nëpërmjet deklaratës që mbajti mëngjesin e sotëm duke thënë se: “Kina … kundërshton me vendosmëri përshkallëzimin e luftës tregtare. Një përshkallëzim i luftës tregtare nuk është i mirë për Kinën, nuk është i mirë për SHBA-në, dhe gjithashtu nuk është i mirë për interesat e njerëzve në të mbarë botën”.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për këtë situatë që po kalojmë dhe mbi të gjitha për shkak se negociatat ndërmjet SHBA-së dhe Kinës po dalin jashtë kontrollit”, u shprehën analistët e ANZ-së. “Përshkallëzimi i kësaj luftë tregtare tregon edhe njëherë se pasiguria do të vazhdojë të rëndojë mbi tregtinë globale, prodhimin industrial dhe investimet, fatkeqësisht pa më të voglën shenjë përmirësimi”.

Sipas shefit të Strategjisë së Tregjeve në Zhvillim në Société Générale, Kina mund të mos veprojë njësoj si në të kaluarën për të frenuar zhvelrësimin e mëtejshëm të monedhës së saj. Sa i takon perspektivës së renminbit ai pritet të këmbehet nga Rmb 7.1 deri në Rmb 7.2 për dollarë amerikanë.

Diku tjetër, dollari australian humbi 0.3 për qind kundrejt homologut të tik amerikan. Ndërsa treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane dhe atë europiane ranë përktësisht me 1.1 dhe 1.4 për qind, rënie kjo e cila erdhi pasi Kina përfshiu naftën amerikane në listën e saj të mallrave që do të përballen me tarifa të mëtejshme.
Burimi: Financial Times

Artikulli paraprakSa minuta duhet të ushtroheni për të parandaluar sëmundjet dhe depresionin
Artikulli tjetërSkandal/ Ujësjellësi, 10 milionë euro fitime nga dyfishimi i tarifave, por qytetarët marrin ujë nga botet!