Trump-Clinton përplasje deri në orët e fundit të zgjedhjeve

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi Byronë Federale të Hetimeve (FBI) për pasaktësi, pasi ajo ka konstatuar se rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, nuk ka kryer sjellje kriminale me e-mail-et e saj.
Pas hetimeve të reja, drejtori i FBI-së, James Comey, tha se në komunikimet e Clintonit nuk është gjetur asgjë për të ndryshuar vendimin e Byrosë, të marrë në muajin korrik.
Trump tha se ka qenë e pamundur për FBI-në të rishikojë 650,000 e-mail-e për një kohë të shkurtër.
“Clinton po mbrohet nga një sistem i manipuluar. Është krejtësisht sistem i manipuluar. E kam thënë për kohë të gjatë”, tha Trump në një tubim në Miçigen.
“Hillary Clinton është fajtore, ajo e di, FBI e di, njerëzit e dinë. Tani, u mbetet amerikanëve të sjellin drejtësi në kutitë e votimit më 8 nëntor”, tha Trump.
Ndërsa Clinton nuk ka folur për letrën e drejtorit të FBI-së në lidhje me hetimet, fushata e saj ka thënë se është e kënaqur me zgjidhjen e çështjes.
Në një tubim në Nju Hempshir, Clinton ka thënë se vendi po përballet me “një moment të vlerësimit” dhe se amerikanët duhet të zgjedhin midis “ndarjes dhe bashkimit”.
Në korrik, FBI ka thënë se Clinton, si sekretare e Shtetit, ka qenë “shumë e pakujdesshme” në trajtimin e materialeve të klasifikuara, pasi ka përdorur e-mail-in privat, por nuk janë gjetur prova që dëshmojnë se ka kryer krim.
Megjithatë, 11 ditë përpara zgjedhjeve, drejtori i FBI-së, James Comey, ka trazuar garën, duke hapur hetime të reja kundër Clintonit.
Në një letër drejtuar Kongresit të dielën, Comey tha se hetuesit kanë punuar pandërprerë në e-mail-et e fundit, të cilat janë gjetur në fillim të tetorit.
E-mail-et thuhet se janë gjetur në lap-topin e ish-burrit të njërës prej ndihmëseve më të afërta të Clintonit, ish-kongresistit Anthony Weiner, i cili akuzohet për dërgimin e mesazheve seksuale te një vajzë 15 vjeç.
Comey tha se hetuesit nuk kanë gjetur arsye për të ndryshuar vlerësimin e mëhershëm të FBI-së se Clinton nuk duhet të akuzohet për trajtimin e informacioneve të klasifikuara.
Dje, vetëm një ditë përpara zgjedhjeve, Clinton dhe Trump udhëtuan në disa shtete, në përpjekje për të bindur votuesit se përse e meritojnë votën e tyre.
Clinton e nisi ditën në Miçigen, që është bastion i demokratëve. E vazhdoi më pas në Filadelfia, ku iu bashkua edhe presidenti Barack Obama, Zonja e Parë, Michelle Obama, bashkëshorti Bill Clinton dhe këngëtari Bruce Springsteen.
Clinton e përfundoi fushatën për Shtëpinë e Bardhë në Karolinën e Veriut.
Trump, në anën tjetër, qëndroi në Florida, në Karolinën e Veriut, në Filadelfia dhe përfundoi me Miçigenin.
Në shtetet ku lejohet votimi i hershëm, afro 42 milionë amerikanë tashmë kanë votuar për zgjedhjet presidenciale.

Artikulli paraprakSHBA në gatishmëri
Artikulli tjetërKatër skenarët e zgjedhjeve të sotme