Katër skenarët e zgjedhjeve të sotme

“The Guardian”

Fitorja e Cintonit
Skenari në të cilin Donald Trump humb çdo shtet dhe vërehet një preferencë kombëtare drejt demokratëve. Ky është skenari fantastik i çdo amerikani që ndihet i fyer nga vetë kandidatura e Trumpit dhe dëshiron që kjo të shfaqet në rezultatet zgjedhore.
Trump në këtë rast jo vetëm që humbet në fushëbetejat më të mëdha si Florida, Karolina e Veriut dhe Ohio, por humbet mbështetje edhe në vende të tjera duke humbur në Ajoa, Kolorado dhe duke vazhduar fantazinë përtej kufijve, duke humbur në shtete ku republikanët nuk kanë humbur kurrë më parë në historinë moderne. Votuesit afro-amerikanë në Gjeorgji bashkohen për të krijuar aleancën numerike si në kohën e Obamës dhe e mundin Trumpin. Votuesit hispanikë bëjnë të njëjtën gjë në Arizona. Në Teksas, emigrantët meksikanë të brezit të dytë dhe të tretë bashkohen me votat e të bardhëve të shkolluar, përfshirë edhe shumë republikanë të moderuar për t’i dhënë fitoren demokratëve.
Clinton arrin ta mundë Trumpin edhe në Utah, ku votuesit mormonë vendosin se nuk mund të votojnë për një kandidat që i ka fyer. Liderët republikanë dalin në deklaratë të përbashkët një ditë pas zgjedhjeve dhe deklarojnë se kandidatura e Trumpit ka qenë një gabim historik. Mijëra fjalë hidhen në sulm të republikanëve për kandidaturën e një figure që mund të ketë pasur bazë të fortë mbështetjeje, por që qartësisht nuk ishte një kandidat serioz dhe i jashtëzakonshëm për vendin.

Fitorja e Trumpit
Një skenar në të cilin Trump fiton 270 vota të Kolegjit Zgjedhor dhe tani duhet të marrë në dorë çelësat e Shtëpisë së Bardhë me një fitore befasuese, pavarësisht se nuk ka arritur të marrë vendet fushëbeteja si Nevada, Kolorado, Virxhinia dhe Pensilvania.
Me këtë skenar fatlum për republikanët. Trumpi ia dedikon fitoren e tij zgjedhësve të bardhë – veçanërisht atyre të zonave rurale. Teksa bie nata, Trumpi kupton se ka humbur Nevadën dhe Koloradon, për shkak të votimit të fortë hispanik të dy vendet. Ai ka humbur Virxhinian sepse ka shumë njerëz në periferinë e DC-së që kanë eksperiencë në qeverisjen federale dhe që nuk pranonin kurrsesi që ai të ngjitej në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Pjesëmarrja veçanërisht e madhe e mbështetësve të Trumpit nga komunitetet e klasës së bardhë punëtore në Pensilvani nuk ka arritur të ngrejë atë në avantazh ndaj murit të demokratëve në Filadelfia dhe periferitë e saj. Por Trump ka arritur rezultate të shkëlqyera në vendet e tjera fushëbeteja duke fituar në Florida, Ohio, Karolinën e Veriut dhe Ajoa.
Më pas një goditje fati: Trump kap një votë elektorale të vetme në Meinin Verior rural, një nga dy shtetet që e ndajnë votën e tyre zgjedhore. Në fund, kundër të gjitha parashikimeve të sondazheve, ai arrin të kryesojë në Wiskonsin, i cili nuk është bërë republikan që pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 1988, por që ka më shumë banorë të bardhë se shtetet fqinje, ku Hillary Clinton nuk ka arritur të frymëzojë votuesit afro-amerikane në Miluaki dhe ku makineria politike e guvernatorit republikan Scott Walker ka arritur të triumfojë përsëri.

Clinton në fije të perit
Skenari, të cilin presioni i gjakut të demokratëve arrin në stratosferë përpara se Florida më të fund të raportojë një fitore përmbyllëse të Clintonit në orën 3 të mëngjesit, duke i dhënë asaj 29 vota zgjedhore dhe çelësat e Shtëpisë së Bardhë. Ky nuk ka për të qenë i kënaqshëm. Clinton ka arritur disa fitore të mira të papritura gjatë gjithë pasdites, duke marrë Pensilvaninë dhe Virxhinian dhe shtetet që pritej të fitonte në perëndim dhe ka konkretizuar fitoren e parashikuar për demokratët në Nevada.
Njerëzit që pritej të votonin për të, kanë votuar për të – femrat, votuesit me ngjyrë, votuesit e bardhë të shkolluar – dhe nuk ka asnjë arsye përse ajo të mos fitojë. Por nata e lavdishme është ndërprerë herë pas here nga sinjale që i kanë goditur demokratët në zemër. Së pari, votuesit e pavarur në New Hampshire i janë përgjigjur thirrjes së fundit të Trumpit dhe kanë vendosur se nuk e duam përsëri dinastinë Clinton në politikën amerikane. Ata i japin Trumpit katër vota elektorale. Më pas republikani fiton në Karolinën e Veriut, ku ka shumë votues republikanë të bardhë, ku fushata republikane ka pasur sukses dhe për hir të së vërtetës, ku humbi Barack Obama në vitin 2012, si mund të fitonte Hillary Clinton?
Gjërat ndërlikohen kur dalin rezultatet e Kolorados. Një pjesë e madhe e votuesve të periferive të Denverit janë regjistruar si të pavarur dhe ndoshta kanë pasur të njëjtin mendim me New Hampshire: mjaft më me Clintonët! Kështu, Clinton ka ngecur në 266 vota elektorale. Trump ka 243. Të gjithë sytë kthehen nga Florida.
Votuesit me ngjyrë të Miamit kanë dalë në sondazhe ashtu siç pritej. Ndërkohë, rezultatet e votuesve të bardhë në komunitetet e pensionistëve kanë rezultuar tronditëse. Votat e portorikanëve në Orlando nuk kanë dalë siç pritej. Votat po vazhdojnë të numërohen në Tampa dhe Shën Petersburg. Rezultati final në kontenë Broward, ku Obama fitoi 260 mijë vota në vitin 2012, del dhe shteti është në krah të Clintonit. Trump bërtet nga inati, por askush nuk arrin ta dëgjojë nga kakofonia e brohoritjeve dhe tapave të shampanjës.

Skenari Al Gore
Një skenar ku Amerika përballet me një krizë kushtetuese që u parashikua që në momentin kur Donald Trump, i cili është përfshirë në 4,095 padi ligjore, ka shkelur me këmbë në garën presidenciale. Rezultati zgjedhor është i ngushtë – më i ngushtë nga sa mund të imagjinohej. Ndoshta Trump fiton New Hampshire dhe shtetet e tjera fushëbeteja, përveç Kolorados, duke arritur barazimin 269-269 vota elektorale.
Ndoshta edhe Florida, shteti që në zgjedhjet e vitit 2012 shpenzoi katër ditë për të nxjerrë rezultatin zgjedhor, arrin në një marzh aq të ngushtë rezultati të ngjashëm me atë që ndau Al Goren dhe George Bushin në vitin 2000, duke shkaktuar një rinumërim të votave, beteja mbi fletë votimi të pavlefshme, refuzim për të bërë lëshime nga të dyja palët dhe në fund luftën ligjore më të madhe që ka parë ndonjëherë Amerika.
Cikli zgjedhor 2016 e ka kapërcyer imagjinatën njerëzore dhe askush nuk mund ta imagjinojë se sa shumë mund të ndërlikohen gjërat. Skenari më i tmerrshëm i mundshëm është ai i barazimit elektoral. Çfarë do të ndodhë më pas? Askush nuk e di. Ndërkohë që Kushtetuta thotë se Kongresi duhet të ngrihet për të zgjidhur çështjen e barazimit, edhe pse disa zgjedhje presidenciale të fillimit të shekullit 19 kishin një rezultat aq të ngushtë sa është dashur ndërhyrja e Kongresit, praktikisht nuk ekzistojmë precedentë të aplikueshëm.
Duke qenë se presidentët zgjidhen teknikisht nga zgjedhësit, të cilët mblidhen për të hedhur vota formale në dhjetor, mund të parashikohet që ndonjë prej tyre të favorizojë Clintonin duke i dalë kundër votës së shtetit të tij/saj. Por Kongresi do të duhet t’i numërojë votat formalisht deri në janar dhe nëse një senator i vetëm ose një përfaqësues nuk është dakord me rezultatin, secila dhomë duhet të votojë mbi vlefshmërinë e numërimit. E shikoni të gjithë se çfarë ndodh. Bëhet fjalë për një Kongres që nuk arrin të lidhë dot as këpucët, jo më të zgjidhë beteja kushtetuese.
A mund të dalë ndonjë rezultat i vlefshëm nga ky proces? A do të përfshihej sërish Gjykata e Lartë? Duke qenë se Gjykatës i mungon akoma një pjesëtar, po sikur ata të dilnin barazim? Kush do të ishte më luftëtar Trumpi apo Clinton-ët? Disa ura të rrezikshme më mirë të mos kalohen nëse mund të evitohen.

Artikulli paraprakTrump-Clinton përplasje deri në orët e fundit të zgjedhjeve
Artikulli tjetërFundi i shekullit amerikan?