Tritan Shehu: Nuk ka lajme të mira nga Trieste për Shqipërinë

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka dhënë, nëpërmjet një statusi në Facebook, arsyet e tij se pse Shqipëria nuk mori lajme të mira nga Samiti i Triestes. ‘Aventura të papërgjegjshme në politikën e jashtme’, identifikon Shehu si një gabim të qeverisë Rama, duke shtuar se BE nuk mund të kërcënohet duke deklaruar se Shqipëria mund të drejtohet larg Europës’. Ai liston edhe arsye të tjera, duke drejtuar gishtin nga qeveria e majtë e Edi Ramës.
“Fatkeqësisht Samiti i Triestes nuk sjell lajme të mira për ne. Atmosfera në Trieste nuk po shfaqet e favorshme për Shqipërinë, në lidhje me procesin e integrimit europian, duke lënë të kuptohet  një “rrugëtim” shumë të gjatë. Dhe këtu problemet duhen kërkuar te ne, në vendin tonë, jo diku gjetkë. Duhen kërkuar te niveli jashtëzakonisht i lartë i largimeve nga Shqipëria si azilante në Europë, shifër kjo që është shumë domethënëse.
Duhen kërkuar te kanabisi që mbuloi vendin duke na kthyer në “hambarin” e Europës. Te korrupsioni galopant e te krimi, që po kondicionon shumë aspekte të jetës së vendit, përfshi dhe atë politike. Te sistemi i ynë i drejtësisë, që as jep drejtësi dhe as besoj se do ta japë nesër. Te aventurat e pa përgjegjshme në Politikën tonë të Jashtme e atë Rajonale, ku nuk dimë të dallojmë prioritetet tona, partnerët tanë strategjikë, që janë të aftë të na afrojnë në objektivin tonë strategjik, që është Integrimi Europian, e që po na ngatërrojnë në “shtigje” pa dalje.
BE nuk mund të kërcënohet duke deklaruar se Shqipëria mund të drejtohet edhe diku tjetër, larg Europës. Shqipëria nuk ka të ardhme tjetër përveçse në BE; për ne nuk ka plan “B”. Të tilla deklarata do të thonë të mos kesh kuptuar asgjë nga e shkuara, e sotmja e aq më pak për të ardhmen e vendit tënd. Politika e jashtme nuk bëhet me barcaleta, as romuze e lodra fjalësh, por me konseguencë e seriozitet, duke ecur në rrugët e konsoliduara të saj për ne. Miqësitë e mëdha gjeopolitike nuk mbahen e forcohen, duke ofenduar Presidentët e ardhshëm të tyre. Shkaku i këtyre lajmeve duhet kërkuar edhe te mënyra si u zhvilluan zgjedhjet e fundit, ku dominoi blerja e votës, kanabisi e keqpërdorimi i administratës. Shumë duhet të korrigjojmë e rindërtojmë që të arrijmë ku aspirojmë-po kur valle?”

Artikulli paraprakBMI (FITCH) parashikon rritjen e betonizimin në Shqipëri
Artikulli tjetërKokëdhima: Qeveria e mbushur tutkunë