Tregu i sigurimeve në rritje, paguan 30 milionë euro

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se rritja në tregun e sigurimeve ka vijuar edhe gjatë 10 mujorit të këtij viti, duke regjistruar një vlerë prej mbi 13 miliardë lekësh ose 8.92 për qind më shumë e janar-tetor 2016. Numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti 1,042,340 me një rritje prej 15.32% krahasuar me periudhën janar–tetor 2016. Ashtu siç ka ndodhur tradicionalisht tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.46% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.23% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.31%.

Sigurimi i detyrueshëm motorik

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar–tetor 2017 arritën rreth 8,124 milionë lekë, ose 8.59% më shumë se në periudhën janar–tetor 2016. “Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar–tetor 2017, pati një rritje prej 10.20% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 8.06% krahasuar me periudhën janar–tetor 2016. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar–tetor 2017 pati një ulje prej 6.28% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 7.48% krahasuar me periudhën janar–tetor 2016”, thuhet në njoftimin e AMF.

U paguan 30 milionë euro dëme

Gjatë këtij viti AMF ka pasur një fokus të veçantë tej pjesa e dëmeve që kompanitë duhet të paguajë si dhe tek detyrimet e tyre të prapambetura ndër vite ndaj palëve të treta. Në janar-tetor dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4 miliardë lekë apo rreth 30 milionë euro, ose 15.80% më shumë se në periudhën janar–tetor 2016.
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,472 milionë lekë, apo 61.69% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Artikulli paraprakFshati braktis skemën e pensioneve, bie numri i kontribuuesve
Artikulli tjetërFaktori “Anfield”