Tregoji Zotit, Ardian për shtetin tënd, se si të katandisi…

Nga Edona Staka

Ishte nji ditë krejt e zakonshme punet.Ardiani erdhi tek zyra pak mas mesditet.I kisha çu fjalë me nji bashkëfshatar të vetin,për me ardh.Nuk e kisha njoft ma përpara,po basha thjesht detyrën që tana familjet përfituese me skemën e vjetër të ndihmës ekonomike,me i lajmru me apliku edhe tek skema e re.U afru krejt kadalë e i pasigurtë tek tavolina.
“-Urdhnoni,zotni!”
“-Jam Ardian Kallami,-tha,-më ke çu fjalë me apliku për asistencë.”
Ishte i veshun keq,flokët pak të rritun,i parrum,fliste krejt avash,me dhimbje,sa për inerci.
“Sa vonë ke ardh,Ardian,-iu drejtova në emën,me i dhan konfidencë,-pse e ke lan në limit të kohës aplikimin?Kenke ba rehat m’duket e s’paske nevojë ma për ndihmë ekonomike,”-u mundova me ba pak humor.Por as që e vuni buzen n’gaz.Më pau me sytë e shkrum,mblodhi buzt e çoi supet,si me dasht me m’than që “he,ishtu puna,s’kam mujt me ardh!”.
Nuk i fola as unë për nji moment.E pashë edhe pak;kishte mimikë të përvujtun,por njikohsisht fisnike,do t’kishte ken i pashëm deri para pak vjetsh.Tash kishte mbet dy grusht njiri.I vujtun,por i paqtë!Apo ishte vetëm i vujtun?Po ku ka paqe për njerz të rrënum?
M’duket se vujtja sikur i fisnikron ata,duken sikur kanë kalu nji fazë katarsisi e janë purifiku deri n’asht!E sikur t’kishe mundsi,do t’ja kishe fal tan boten;urdhno,merre boten Ardian,e di që ti nuk ke çka i ban ma shumë,përveçse me e qendis me brengën tande!

“M’fal,-tha,-se po të flas ma shumë se duhet,(o Zot,sa mirë që po fliste!),por ke moshen e vajzes teme.Mu s’ka dy muj që m’ka vdek gruja,s’më bahet me u vesh e me dal,as me pa kend,as me taku kend. A sheh si jam ba.Prandej kam vonu,motër.M’ka fik,se di a m’kupton e ndoshta po ofendohesh që po t’flas kaq shumë,por kenka hall i madh.Gruja,moj motër,a m’kupton?”
Biseda vazhdoi edhe për pak…bisedë e dhimbshme,ai plot mërzi e i kputun,unë pa piken e forcës,me ba ndoj gja,hama dreq!
Histori e gjatë,e tregume shkurt:Ardiani nuk e përfitoi ndihmen ekonomike;pikë të pamjaftushme,edhe pse me shpi si mos ma keq,pa tokë e pa punë.Mandej e futa në listat e 6% që ka në dispozicion bashkia,pa pyt askend.Mandej Ardianin e akuzunen për vjedhje të nji shpijet,e arrestunen,e dhununen,e kërcnunen,e lirunen…e aq u desht!Nji shpirt i vram’ që nuk bajti ma!Ardiani dje u vetëvar…
Sot,Ardian,kur e mora vesht që ishe ti,mu kujtu biseda jonë,pamja jote,madhështia e zanit tand t’vogël.Unë sot s’do e mallkoj shtetin tem,s’do ta urrej,se sot s’kam fuqi;m’ka kput shpirtin ikja jote.Sot ta la ty n’dorë…
Tregoji Zotit,Ardian,për shtetin tand,se si të katandisi,si të detyroi me firmos për diçka që se kishe ba(asnjiherë n’botë,i ve unë durt në zjerm për ty!),se si shteti jonë s’ka forcë e s’don me i arrestu kriminelat e vërtetë,e englediset me njerz si ti,përdhos njerz si ti,torturon njerz si ti,fryn egon e vet,duke i tregu kërbaçin njerzve si ti.Tregoji Zotit,Ardian,sa fatkeqsi asht sot me ken shtetas i shtetit shqiptar!
Pushofsh n’paqe,fort i përvujtuni,Ardian Kallami!

Artikulli paraprakJa si e katërfishoi Rama kumarin që nga viti 2013!
Artikulli tjetërFaqja e pare