Tragjedia, shpërthimi në depot që ishin me ekspozivë, akti në kohën kur OKB ka nisur një proces gjyqësor

Një shpërthim masiv tronditi të martën kryeqytetin e Libanit, Bejrut duke shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Zyrtarët libanezë thanë se të dhjetra njerëz u vranë në shpërthimin që tronditi disa pjesë të kryeqytetit të vendit. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassan tha se më shumë se 3000 njerëz u plagosën në shpërthimin që shkaktoi dëme të mëdha materiale në qytet.

Zyrtari i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettaneh tha se po bëhen përpjekje për gjetjen dhe shpëtimin e njerëzve të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave dhe shtëpive që ndodheshin afër vendit të shpërthimit.

Sipas njoftimeve shpërthimi ishte përqendruar pranë portit të Bejrutit duke sjellë për pasojë shkatërrim në shkallë të gjerë e copëtuar dritare që ndodheshin disa kilometra larg.

Një fotograf i “Associated Press” që ndodhej në afërsi të portit të Bejrutit tha se kishte parë njerëz të plagosur të shtrirë në tokë dhe shkatërrim të shkallë të gjerë.

Ndërkohë sipas “Reuters”, Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Libanit, NNA dhe dy burime të sigurisë thanë se shpërthimi kishte ndodhur në zonën e portit ku ka depo me eksplozivë. Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin ose çfarë lloj eksplozivi ndodhej në depo.

Shpërthimi ndodh ndërsa një gjykatë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara po zhvillon një proces gjyqësor ndaj katër personave që i përkasin grupit shiit Hezbollah. Ata dyshohet se kanë vrarë ish-udhëheqësit sunit të Libanit, Rafik Hariri, gjatë një sulmi me një kamion me eksploziv 15 vite më parë, ngjarje që shkaktoi trazira rajonale. Gjykata ka në plan të marrë një vendim të premten, një zhvillim që mund të trondisë vendin sërish.

Shpërthimi ndodh gjithashtu gjatë një prej krizave më të rënda ekonomike dhe financiare të Libanit në dekada, dhe mes rritjeve të tensioneve mes Hezbollahut dhe Izraelit përgjatë kufirit jugor të Libanit.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump është informuar për shpërthimin e së martës.

“Po lutemi për njerëzit e Libanit. Presidenti është informuar. Ne vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën”, tha Drejtorja e Komunikimit Strategjik në Shtëpinë e Bardhë, Alyssa Farah.

Artikulli paraprakFotot/ Bejruti si Hiroshima, mbi 25 të vdekur dhe 2200 të plagosur, spitalet jashtë kapaciteteve
Artikulli tjetërLidheni të çmendurin, skandal me buxhetin elektoral, do të rrisë borxhin me 580 milionë euro në 2021