Lidheni të çmendurin, skandal me buxhetin elektoral, do të rrisë borxhin me 580 milionë euro në 2021

Qeveria synon të mbajë një nivel të lartë shpenzimesh buxhetore për vitin që vjen, që përkon me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat do të ushtrojnë presion për rritjen e borxhit publik më së paku 4,2 për qind të PBB-së.

Diferenca ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave, që përfaqëson edhe deficitin buxhetor parashikohet të jetë më 2021 mbi 72 miliardë lekë ose rreth 580 milionë euro. Zgjerimi i borxhit të ri në këto nivele është sa 4.2 për qind e PBB së vitit që vjen që është parashikuar të jetë mbi 1,7 trilionë lekë.

Gjatë vitit që vjen të ardhurat buxhetore janë projektuar të jenë në nivelin e 505 miliardë lekëve me një rritje 13 për qind në raport me planin e rishikuar të këtij viti. Qeveria është treguar optimiste në parashikimin e saj, pasi të ardhurat e pritshme të 2021 janë 10 për qind më të larta se të vitit 2019, kur ndikimi i Covid-19 akoma nuk ishte shfaqur. Edhe pa krizë të ardhurat buxhetore vitet e fundit janë rritur me ritme mesatare 3 për qind në vit.

Teksa parashikimet mbi të ardhurat qëndrojnë në skajin më të lartë të skenarit optimist shpenzimet buxhetorë janë mbajtur të larta, më së paku 580 miliardë euro me shumë se të ardhurat, të cilat përfaqësojnë borxhin e ri. Shpenzimet e vitit 2021 do të jenë vetëm 1 miliardë lekë më të ulëta se të këtij viti, ku qeveria u detyrua të miratonte dy paketa ndihme që kalonin 4 për qind të PBB-së për të zbutur efektet e krizës.

Shpenzimet kapitale do të jenë në nivelin e 112 miliardë lekëve (rreth 1 miliardë dollarë), nga të cilat 25 miliardë lekë do të alokohen për procesin e rindërtimit. Burimet nga Ministria e Financave pohojnë se zgjerimi i deficitit buxhetor në një pjesë të madhe i faturohet procesit të rindërtimit. Qeveria shqiptare ka rritur financimet për rindërtimin nga fondet e e veta, pasi premtimet e donatorëve janë rrudhur nga kriza qe krijoi Covid-19.

Gjithashtu borxhi në rritje i ngarkon shpenzimet buxhetore me një barrë më të lartë për shlyerjen e interesave. Vitin që vjen pritet të shpenzohen 44 miliardë lekë për shërbimin e borxhit, ose 10 për qind më shumë se në vitin 2020.

Qeveria shqiptare e ka konsumuar thuajse tërësisht hapësirën fiskale, pasi rritja e mëtejshme e taksave është e pamundur, pasi aktualisht janë mbi mesataren e rajonit, ndërsa borxhi publik arriti në fund të 6 mujorit të parë 2020 në 80 % të PBB-së.

“Monitor”

Artikulli paraprakTragjedia, shpërthimi në depot që ishin me ekspozivë, akti në kohën kur OKB ka nisur një proces gjyqësor
Artikulli tjetërSekuestrohen 22 mijë paund në Rinas