Tottenham kërkon lojtarë

Mauricio Pochettino ka lënë të kuptohet se skuadra e Tottenham është gati të hidhet në sulm në këto ditë të fundit të merkatos së janarit. Lajmi është konfirmuar nga tabloidi britanik “Daily Mail” që raporton se Pochettino sugjeroi së fundmi se “Spurs”, të cilët nuk kanë blerë asnjë futbollist në merkato dimri që nga blerja e Dele Alli më 2015, kur mesfushori menjëherë u huazua sërish te skuadra e MK Dons, për të përfunduar atë sezon, nuk do të bënin asnjë blerje në janar.
Por, pasi mbijetuan në FA Cup vetëm falë një barazimi 1-1 në “Lowly Newport”, Pochettino pranoi se Tottenham ka disa opsione përpara se merkatoja e dimrit të mbyllet të mërkurën në mbrëmje, në ditën e fundit të janarit. “Natyrisht që kemi disa opsione. Do të shohim deri në ditën e fundit, nëse mund të afrojmë ndonjë futbollist që shton cilësinë në skuadër. Nëse jo, atëherë nuk do të ndodhë. Por do të shihet në ditët në vijim, nëse do të kemi ndonjë shans me disa futbollistë”, deklaroi Pochettino.
Spurs janë përfolur për blerjen e lojtarit të PSG, Lucas Moura, por është mësuar se francezët kërkojnë një shumë prej £23milionë për 25-vjeçarin nga Brazili. I pyetur specifikisht për Moura, Pochettino deklaroi: “Ka shumë thashetheme për futbollistë të ndryshëm, por unë nuk flas për thashethemet. Por do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme”, përfundoi trajneri i Tottenham.

Artikulli paraprakSimeone: Barcelona? Duhet të mendojmë vetëm për veten
Artikulli tjetërGuardiola kërkon mbrojtje për lojtarët