Toti nuk shpëton dot Romën

Roma vazhdon të shfaqë probleme dhe këtë radhë, skuadrën e Spaletit nuk e shpëtoi as aktivizimi i Françesko Totit, i cili kishte zgjidhur situatat e komplikuara në takimet e mëparshme të verdhekuqve. Ekipi që filloi sezonin si pretendent për të fituar Serinë A sot u mund 1-0 nga Fiorentina, në një ndeshje shumë argëtuese, që u zgjidh nga një gol në minutat e fundit.
Skuadra e Romës arriti të diktonte ritmin e saj në pjesën e parë, por Xheko gaboi disa mundësi të mira shënimi para portës së mbrojtur nga Tatarursanu, duke mos arritur të gjente kuadratin edhe pse në pozicion mjaft të favorshëm.
Në pjesën e dytë, ishte Fiorentina që krijoi rastet më të pastra për shënim, duke detyruar Spaletin që të luante “asin nën mëngë”, Françesko Totin, i cili hyri në fushën e lojës në minutën e 78. Kapiteni nisi aksionin e minutës së 81-të, kur Naingolan goditi shtyllën pingule.
Situata u përmbys menjëherë në krahun tjetër, ku pas një aksioni me shumë pasime, Badelj lëshoi një gjuajtje të pakapshme për Szczesnin që përfundoi në rrjetë ngjitur me shtyllën, ndonëse ka dyshime për pozicionin e Kaliniç. Roma provoi me të gjitha mënyrat të kthente përsëri takimin në favorin e vet, por Tatarusanu ndaloi tentativën e El Sharawit, ndërsa Toti nuk gjeti kuadratin me goditje nga jashtë zonës në minutën e 5 shtesë.
Pas rezultateve të sotme dhe humbjeve të njëpasnjëshme të Juventusit e Romës, Seria A kryesohet nga Napoli me 10 pikë, skuadra e vetme që nuk ka pësuar ende shijen e humbjes, e ndjekur nga Juventusi me 9 pikë dhe Roma, Lacio, Kievo dhe Inter me nga 7 pikë.

Artikulli paraprak“MSN” me ritëm rekordesh
Artikulli tjetërMurinjo fillon ankesat: Gjyqtarët e vijërojtësit nuk i kontrolloj dot