Tmerr, tre vajza minorene përdhunohen në jetimore

Tjetër skandal në jetimoren e Shkodrës. Fëmijët janë abuzuar seksualisht, janë keqtrajtuar dhe detyruar për të punuar. Këto fakte zbulohen nga Prokuroria e Shkodrës, që dje ka urdhëruar ndalimin e punonjësve të Qendrës së Fëmijëve, të dyshuar për “Keqtrajtim të të miturve” dhe “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e disa punonjësve të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, nën varësinë e Bashkisë përfshirë ish-drejtoreshën, në vijim të hetimit për disa ngjarje tronditëse që dyshohet se kanë ndodhur me fëmijët në këtë institucion.
Prokuroria e Shkodrës pak ditë më parë ka marrë sinjalizim nga institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të të cilit kishte të dhëna se mbi fëmijët që jetonin në këtë Qendër kishte abuzime nga personeli.
Prokuroria e Shkodrës ndërmori menjëherë veprimet hetimore, në bazë të të cilave janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjës të personelit të Qendrës kanë abuzuar fizikisht, kanë keqtrajtuar dhe i kanë vënë në punë të detyruar fëmijët e Qendrës Rezidenciale.
Sipas Prokurorisë, nga hetimi i deritanishëm është zbuluar edhe një fakt tejet i rëndë. Në bazë të aktit të ekspertimit përkatës, rezulton se tre fëmijë të mitur, femra janë abuzuar seksualisht dhe defloruar. Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasve:
A. Llazani, ish-drejtoreshë e Qendrës Rezidenciale për Fëmijë, Shkodër
B. R. Camaj, punonjëse e Qendrës.
Sh. Nishani, punonjëse e Qendrës.
N. Rramolli, punonjëse e Qendrës.
V. Marku, punonjëse e Qendrës.
Sipas Prokurorisë, këto punonjëse dyshohen për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqtrajtimit të të miturve”. Urdhrat e ndalimit të Prokurorisë së Shkodrës janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Nuk është rasti i parë që në Jetimoren e Shkodrës fëmijët dhunohen dhe keqtrajtohen. Një vit më parë u publikua një video skandaloze, ku kujdestarja e Jetimores së Fëmijëve, në Shkodër dhunon barbarisht fëmijët e strehuar në këtë institucion. Në video dukej qartë se si një prej kujdestareve dhunon me shkelma një fëmijë të vogël, i moshës rreth 6 vjeç.
Më pas, ajo i ulet në prehër. Ndonëse fëmija qan, vazhdon të qëndrojë në prehrin e tij. Ndërkohë, një tjetër fëmijë rrëzohet dhe kujdestarët nuk dënjojnë që të kujdesen për ta ngritur nga toka. Pamjet janë vërtetë shokuese.
Pasi videoja është publikuar në media, Prokuroria nisi hetimet ndaj tre kujdestareve për dhunë mbi fëmijët dhe shkelja e të drejtave të tyre. Megjithëse ministri Klosi deklaroi se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten më, skandali këtë herë ka qenë edhe më i madh në Jetimoren e Shkodrës, pasi fëmijët jetimë jo vetëm që janë dhunuar, por tre vajza të mitura janë përdhunuar. Skandali është zbuluar nga Prokuroria e Shkodrës, e cila ka lëshuar edhe urdhër arrestet për tre punonjës të Jetimores.

R.POLISI

Artikulli paraprakPse emri i Grillos të Interforcë del tek droga dhe përgjimet?
Artikulli tjetërMashtrimi i kreut të Policisë: Nuk ka pajisje përgjimi