Tmerr në Xhafzotaj të Durrësit, djali vret nënën dhe babain me çifte

Një krim brenda familjes tronditi mëngjesin e djeshëm Xhafzotajn në Durrës, ku djali ka vrarë me armë zjarri të llojit çifte dy prindërit e tij. Policia e Durrësit sqaron se, krimi i rëndë ndodhi në familjen Nika, ndërsa autori është identifikuar si shtetasi Leonard Nika, 29 vjeç.
Sipas burimeve policore, ai ka qëlluar për vdekje dy prindërit e tij, babanë Ali Nika, 70 vjeç, dhe nënën Junije, 66 vjeçe. Nga hetimet paraprake rezulton se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor, dhe në momentin e arrestimit ka qenë i dehur.
29-vjeçari kishte jetuar edhe në Itali, atje ku gjenden edhe motrat dhe vëllai, por vitin e fundit qëndronte më shumë në Shqipëri, thanë fqinjët. Sipas tyre, ai nuk njihet për person problematik në lagje, por se pasi ishte kthyer nga Italia sillej çuditshëm, rrinte i heshtur…
Ai jetonte me gruan dhe vajzën në shtëpinë e prindërve. Në momentin e krimit, e bija dhe e shoqja nuk ndodheshin në shtëpi.
Ndërsa për dy të moshuarit, Ali Nika 75 vjeç dhe Junie, 66 vjeçe që mbetën të vrarë nga djali i tyre, fqinjët thotë se ishin tejet të urtë e të respektueshëm. Ata ishin vendosur në Xhafzotaj 22 vite më parë, pasi me origjinë janë nga Dibra.
Trupat e pajetë të viktimave u gjetën larg njëri-tjetrit. E babait viktimë në dhomë, kurse e nënës pranë derës. Kjo për ekspertët tregon që autori para se të kryente krimin është përfshirë në një debat. Nga hetimet e para dyshohet që autori i martuar me një fëmijë, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe në momentin e arrestimit, ka qenë i dehur. Ai kishte sjellje të paqëndrueshme. Autori i krimit të rëndë ndodhet në Komisariatin e Policisë ku vazhdimisht merret në pyetje për të sqaruar rrethanat. Por hetuesit tregojnë se ai nuk ka dhënë detaje, pasi ende ndodhet në një gjendje shoku.
Policia ende nuk ka dhënë detaje për motivet e këtij krimi makabër. Ajo që dihet është se pas një telefonate në sallën operative, policia ka mbërritur në familjen Nika rreth orës 07:55. Aty ka gjetur pa jetë në oborrin e shtëpisë çiftin e të moshuarve. Autori nuk ka lëvizur nga vendngjarja dhe është prangosur si dhe është sekuestruar çiftja me të cilën vrau prindërit. Çifti kishte 6 fëmijë, katër vajza dhe dy djem, ndërkohë që pesë prej tyre jetojnë jashtë vendit.

Artikulli paraprakShpallen në kërkim dy porositësit e vrasjes së komisarit Artan Cuku
Artikulli tjetërProkuroria e Vlorës kërkon 9 vjet burg për Shpëtim Gjikën