Tjetër skandal në Vetting!

Komisioni i Vetingut nuk resht së krijuari lajme negative. Një tjetër komisioner i strukturës që do të realizojë kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, është në shkelje të plotë të ligjit.
Vojo Malo është drejtues i kompanisë “Vojo & partneres”, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit si “person fizik” që në vitin 1996. Në qershor 2017 ai zgjidhet nga Parlamenti në detyrën e Komisionerit zëvendësues të Komisionit të Vetingut. Ligji për “rivlerësimin kalimtar” i trajton në mënyrë të njëjtë komisionerët me komisionerët zëvendësues, si në trajtimin e pagës e shpërblimeve, po ashtu edhe në ndalimet që kanë këta zyrtarë në bazë të ligjit të konfliktit të interesave.
Legjislacioni shqiptar ka parashikuar që komisionerët punojnë me kohë të plotë. Në këtë mënyrë, ligji ndalon që ky nivel zyrtari të punojë diku tjetër me kohë të plotë. Madje, ligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave….”, parashikon se zyrtarët e nivelit të lartë dhe nivelit të mesëm drejtues nuk mund të punojnë në profesione të lira, përfshirë edhe person fizik “avokat”.
Këtë parashikon ligji dhe duket qartë se komisioneri (zëvendësues) Vojo Malo është në kushtet e konfliktit të hapur të interesit me aktivitetin e tij privat si avokat. “Boldnews.al” ka shqyrtuar informacionin publik të kompanisë “Malo & partners”, nga ku rezulton se Vojo Malo vijon të jetë drejtues i zyrës avokatore. Ai mban pozicionin e “Partner drejtues”, pra njeriu më i rëndësishëm në këtë kompani. Gjithashtu, në faqen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, komisioneri (zëvendësues) Vojo Malo rezulton si “person fizik-Avokat”, me status aktiv, me NIPT 31516069 R.

Krahas shkeljes së ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave, Komisioneri Vojo Malo është në shkelje edhe të ligjit mbi të cilin ai është zgjedhur në funksionin publik-Vetingut. Në këtë ligj parashikohet se statusi i Komisionerëve të Komisionit të Vetingut është i njëjtë me atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtyre të fundit, afërmendsh, nuk u lejohet që të ushtrojnë detyrën e avokatit.
Pra, njëlloj edhe për Komisionerët, ata nuk duhet të ushtrojnë profesionin e Avokatit, për sa kohë janë të emëruar në institucionin më të rëndësishëm që synon të pastrojë sistemin e drejtësisë nga korrupsioni dhe paaftësia.
Duket qartë se nxitimi i maxhorancës parlamentare për përzgjedhjen e komisionerëve të Vetingut ka sjellë si produkt emërimin e Komisionerëve, të cilët janë vetë në shkelje të ligjit, duke ndikuar në uljen e besimit mbi këtë institucion shumë të rëndësishëm.
Deri më tani, edhe dy Komisionerë të tjera kanë rezultuar se kanë qenë pjesë aktive e politikës, pavarësisht se ky ishte një prej kushteve ndaluese për emërimin e tyrë në detyrë.
Një tjetër komisionere, siç ka raportuar më parë “Boldnews.al” ka qenë në kushtet flagrante të konfliktit të interesave me një prej subjekteve që ka pasur në kontroll. Në fakt, ajo që po konstatohet deri më tani është se Komisioni i Vetingut, por as institucione të tjera më të larta, nuk kanë dhënë asnjë reagim, qoftë formal, lidhur me shkeljet e ligjit nga ana e të paktën 3 komisionerëve deri më tani.
“Boldnews.al”

Artikulli paraprak“Alieni”, “Rrufeja”, “Apache” dhe gjestet më të çmendura të viteve të fundit
Artikulli tjetërMistere ende të pazgjidhura nga shkenca tek truri i njeriut