Një plan për të dalë nga kriza sot dhe kaosi nesër

Nga Besnik Aliaj

Më 18 shkurt, lideri i opozitës, Lulzim Basha u ngrit mbi palët dhe bëri zgjedhjen e tij! Ai nuk u mor me llafet, provokimet apo sulmet nga kundërshtarët e mosbesuesit, qofshin këto nga jashtë apo edhe brenda radhëve të opozitës. Basha refuzoi të merret me vogëlsirat! Ai nuk u turbullua aspak as nga presionet e grupimeve tradicionale në politikë, biznes e media, dhe as nga joshje-kurthet 27-vjeçare të provokatorëve! Ai bëri një zgjedhje morale dhe strategjike perfekte, e që sido të venë punët do ta nxjerrin atë fitues pa asnjë dyshim. Por çështja tani nuk është më vetëm tek fati i Bashës!
Zgjedhja e Bashës më 18 shkurt është shumë e thjeshtë: ajo ka të bëjë me aleancën që ai bëri me qytetarët e thjeshtë, me apo pa parti dhe jo me politikën tradicionale që llogarit çdo 4 vjet kandidimet dhe votat në Parlament, dhe pastaj tallet 4 vjet me votuesit! Basha zgjodhi misionin e vështirë të drejtimit të një lëvizjeje qytetare të papërfaqësuar deri më sot, përballë pragmatizmit për t’u bërë kryeministër, përmes trafikimit të shifrave dhe votave apo pazareve me mediat-biznes dhe oligarkinë!
Më 18 shkurt Basha ftoi shoqërinë në tërësi dhe jo thjesht militantët partiakë, për t’u bashkuar në një front të gjerë qytetar që do të shmangë një katastrofë fatale për vendin: rënien e demokracisë, dështimin e Republikës dhe marrjen e vendit përfundimisht peng nga mafia. Në këtë mënyrë Basha hapi kutinë e Pandorës dhe tashmë ka përballë jo vetëm një supersfidë për veten, por ai ka iniciuar një telash super të madh që do të çojë me shumë gjasa në eksterminimin përfundimtar të establishmentit të tranzicionit paskomunist! Gjërat tani kanë dalë jashtë kontrollit të “elitave”!
Ata që deri dje e paragjykuan, u tallën dhe e morën lehtë Bashën, sot ndihen të befasuar, të alarmuar dhe të kapur keq mat! Edhe pse koalicioni qeverisës hiqet sikur s’ka ndodhur asgjë, jo rastësisht ai po përpiqet ta kopjojë modelin e “çadrës forum-qytetar”. Por kur gjërat nuk janë organike dhe pa moral ato nuk mund të fuksionojnë. Sepse në “çadrat kërpudha” të qeverisë sot sheh vetëm qeveritarë vendorë e qendrorë që më shumë se për hallet e njerëzve të thjeshtë synojnë në të vërtetë të mbrojnë veten, duke u munduar të kapin të gjitha kolonat e pushtetit, përmes të ashtuquajturës “reformë për drejtësi”, një domosdoshmëri kjo për vendin, por që fatkeqësisht po keqpërdoret në emër të etheve të një pushteti arrogant e autoritar në rritje!
Edhe sulmet e fundit ndaj intelektualëve të pavarur si akademiku Artan Fuga apo aktet e dhunës ndaj të rinjve që protestojnë, dëshmojnë për panikun që fshihet pas “indiferencës dhe ironive” në dukje të koalicionit qeverisës. Tashmë paniku nuk mund të fshihet, as edhe tek synimi për të dekurajuar publikun përmes keqinformimit mediatik me qëllim që të mos bashkohet me këtë lëvizje qytetare që mbart tharmin e një Republike të re dhe një boomerang-u shfarosës për politikën tradicionale!
Nuk ndihmon në këtë pikë as qëndrimi “as mish as peshk” i aleatëve të 1 prillit dhe atyre të turbo-nacionalizimit që qartësisht kanë hallin e mbijetesës në politikë. Tashmë një gjë është e qartë: kriza është ulur këmbëkryq para qeverisë dhe Parlamentit! Askush nuk mundet më të pretendojë se ajo nuk ekziston! Kjo është një krizë ku qëndrojnë përballë dy palë: Basha, opozita, si dhe grupimet civile e qytetarët e thjeshtë nga njëra anë; dhe “Koalicioni i 1 prillit” dhe gjithë establishmenti tradicional në tërësi në politikë, biznes e media. Këta të gjithë duan dështimin e Bashës jo thjesht për rivalitet idesh, por për shkak të ortekut që po krijohet gradualisht!
Në këtë situatë kërkohet urgjentisht një plan zgjidhjeje me mendje të kthjellët që gjërat të mos dalin nesër e më tej jashtë kontrollit dhe vendi të zhytet përfundimisht në kaos dhe konflikt. Këtu dallohen liderat nga individualistët egocentrikë! Vizionarët nga karrigethyerit! Këtu dallohet përgjegjshmëria nga çmenduria e pushtetit! Përvojat e mëparshme tonat kur ka munguar vullneti për të biseduar na kanë çuar në honet e marrëzisë! Por edhe përvojat e ngjashme botërore, si në Siçili, Kolumbi, Peru, Panama, etj., bëjnë thirrje për urtësi dhe heqje dore nga kokëfortësia sot!
Është koha për një marrëveshje të mençur dhe historike ndërtuar mbi sensin e të mirës dhe jo aleancën me të keqen. Nuk mund të luash sport me fatet e një vendi! Ndaj kolonat e kësaj marrëveshjeje historike, që duhet të vijë vetëm nga transparenca në “Çadrën e lirisë”, mund të ravijëzohen si më poshtë mbi atë që vetë palët kanë artikuluar! Dhe kur them palët kam parasysh një tryezë ku nga njëra anë do të ishin Rama-Meta dhe nga tjetra Basha dhe së paku një përfaqësues i spikatur i lëvizjeve qytetare:
1. Së pari, Basha nuk duhet të tërhiqet për asnjë arsye nga kërkesa për një qeveri teknike. Duhet të jetë e qartë se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje të ndershme kushtëzohet pikërisht nga kjo kërkesë e panegociueshme! Madje edhe përbërja e kësaj qeverie duhet të mos jetë një lojë kungulleshkash me pseudoteknicienë militantë, por një qeveri realisht dhe thellësisht neutrale me individë të spikatur nga shoqëria dhe me atdhetarë!
2. Basha duhet të ftojë Ramën dhe Metën në çadër, meqë ata e kërkuan këtë dhe t’u kërkojë publikisht që ata të shprehin vullnetin e tyre pozitiv për të shkuar drejt zgjidhjes reale! Në emër të këtij vullneti opozitës duhet t’i jepet e drejta e zgjedhjes së Presidentit, ose më së paku kandidatura e tij konsensuale duhet të ketë mbështetjen edhe të opozitës. Çdo president i zgjedhur njëanshëm pa konsensus politik midis gjithë forcave politike parlamentare, por përmes forcës së kartonit të një Parlamenti thellësisht të kriminalizuar dhe adiktuar nga droga, do të ishte një shans i fundit i humbur për paqe sociale dhe rrugëtim drejt zgjidhjes së qëndrueshme politike për dekadën në vijim ku shpresohet që ne t’i bashkohemi komunitetit të vendeve të BE-së.
3. Vetëm me këto dy kushte paraprake mund të shkohet drejt zgjedhjeve të reja të ndershme ku çdo parti të ketë rënë paraprakisht dakord të hyjë më vete në garë për të matur realisht votat dhe peshën e saj publike, larg pazareve të koalicioneve dhe listave rajonale, por me votim të drejtpërdrejtë për çdo kandidat. Zbatimin strikt dhe serioz të ligjit të dekriminalizimit për të çuar në Parlament njerëz sa më të shkolluar dhe të pastër. Deklarimin e rezultatit të zgjedhjeve brenda 24 orëve!
4. Nisjen e një aksioni të menjëhershëm të sigurisë kombëtare duke mobilizuar organet e sigurisë kombëtare, ushtrinë dhe policinë për të goditur grupet kriminale, mafian dhe kultivuesit e drogës dhe për të vendosur kontrollin real mbi territor në aleancë me qytetarët!
5. Financimin e partive politike parlamentare vetëm nga buxheti i shtetit. Hartimin e një ligji të posaçëm të ri dhe strikt për partitë politike. Promovimin e mekanizmave të garës reale dhe demokracisë së brendshme. Organizimin me detyrim të zgjedhjeve në parti çdo 2 vjet në bazë të një modeli amerikan të garës së kandidaturave konkurruese dhe eliminatore. Zbatimin e parimit që një kryetar partie dhe kryeministër nuk mund të ketë më shumë se dy mandate 4-vjeçare të njëpasnjëshëm!
6. Kryerjen e reformës reale në drejtësi!

Artikulli paraprakRepublika e re
Artikulli tjetërTjetër sasi droge kalon nga Durrësi dhe kapet në Itali